
Përshkallëzohet lufta tregtare! Hyjnë në fuqi tarifat e Trump për metalet, ‘hakmerret’ BE
Tarifat prej 25% të Donald Trump për çelikun dhe aluminin kanë hyrë në fuqi, duke shënuar një fazë të re në luftën tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj kryesorë tregtarë.
Presidenti amerikan kishte taksuar importet e çelikut dhe aluminit gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021), por kjo taksë e re synohet të jetë “pa përjashtime”, siguroi Trump gjatë njoftimit në fillim të shkurtit.
Kjo shkaktoi një përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Evropian, i cili tha se do të vendosë kundër tarifa për miliarda euro mallra amerikane.
Komisioni Evropian ka njoftuar se do të aplikojë tarifa “të forta, por proporcionale” për një sërë produktesh amerikane duke filluar nga 1 prilli, në përgjigje të tarifës prej 25% të SHBA për çelikun dhe aluminin.
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje të thellë për masat e vendosura nga Presidenti Donald Trump, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në një deklaratë.
Trump shpreson se tarifat do të nxisin prodhimin e çelikut dhe aluminit në SHBA, por kritikët thonë se kjo do të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë dhe do të dëmtojë rritjen ekonomike.
Instituti Amerikan i Hekurit dhe Çelikut (AISI), një grup që përfaqëson prodhuesit e çelikut në SHBA, mirëpriti tarifat duke thënë se ato do të krijojnë vende pune dhe do të nxisin prodhimin vendas të çelikut.
Burimi