
OBSH: Çdo 2 minuta humb jetën një grua shtatzënë! Shqipëria, me shifra më të ulëta në rajon
Çdo dy minuta një grua shtatzënë ose gjatë lindjes humb jetën në botë.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se hemorragjia, që ndodh kryesisht gjatë ose pas lindjes – është përgjegjëse për gati një të tretën (27%) të vdekshmërisë së nënave.
Më pas vijnë vdekjet për shkak të çrregullimeve hipertensive me 16 %.
Përsa i përket vendit tonë, shifrat tregojnë një vdekshmëri shumë të ulët për këtë shkak, dhe nga viti në vit numrat kanë ardhur në rënie. Kjo sipas bluzave të bardha lidhet me kontrollin dhe ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për t’u ndjekur me specialistin para, gjatë dhe pas lindjes, si dhe aksesi tek bluzat e bardha.
“Pas ’90, vdekjet e grave shtatzëna kanë qenë të larta ndërsa sot jemi në shifrat më të ulëta të rajonit. Hipertenisoni ose prelaksia është patologjia më e rëndë që kemi në obstetri, apo gjatë gravidancës. Dhe prelaksia po vihet re se ka një incidencë rritëse për shkak të shumë faktorëve, që nga rritja e obezitetit, rritja e shtatzënisë në një moshë më të madhe apo në një moshë shumë të hershme. Çelësi i suksesit është që të fillojë të trajtohet në hapat e parë. Ne kemi pothuajse zero vdekshmërinë e grave nga hipertenisoni në shtatzëni, vetëm në rastet kur nuk paraqiten tek mjeku”, tha Eliona Demaliaj, drejtore e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Megjithatë, raporti i OBSH thekson se rreth një e treta e grave – kryesisht në vendet me të ardhura më të ulëta – ende nuk marrin kontrolle thelbësore pas lindjes në ditët e para pas lindjes.
Burimi