
E ardhur nga trafiku i kokainës në Evropë, GJKKO konfiskon pasuritë e Armando Doçajt, anëtar i grupit kriminal të Jetmir Kastratit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasve Armando Doçaj dhe personave të lidhur Pjetër Doçaj, Roberta Doçaj dhe Shkëlzen Doçaj.
Grupi dyshohet se ka trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të mëdha kokaine dhe mariuhane kryesisht në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Hollandë dhe Gjermani.“1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.04.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskim i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për të cilat Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 12, datë 04.05.2021 kavendosur sekuestrimin e tyre, kundër shtetasit Armando Doçaj dhe personave të lidhur Pjetër Doçaj, Roberta Doçaj dhe Shkëlzen Doçaj.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenin 112 të K.Pr.Penale dhe nenet 3, 7, 10, 21, 22, 24, 27 dhe 28/1 të Ligjit Nr. 10192 dt. 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, indryshuar, me vendimin Nr. 2, datë 07.03.2025 vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Shuma monetare prej 1976 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit Armando Pjetër Doçaj.
Shuma monetare prej 551 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të Roberta Mhill Doçaj.
Shuma monetare prej 1000 euro e ndodhur në llogarinë e kursimit me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit A.D.
Shuma monetare prej 456 euro e ndodhur në llogarinë (karte e parapaguar) me Nr.****, në emër të shtetasit K.D.
Pasuri e paluajtshme Nr. ****, Z.K. ****, pasuri e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2, me adresë, ****.
Apartament me sipërfaqe 122.58 m2, me adresë ****, përfituar sipas kontratës për kalim të drejtash pronësie dhe premtim shitje Nr. Rep./kol. ****, datë ****, me palë blerëse shtetasin Armando Pjetër Doçaj dhe palë shitëse shtetasit E.B dhe E.B, me çmim blerje në shumën 20.000 euro.
3. Heqjen e masës parandaluese me karakter pasuror atë të “sekuestrim i pasurisë” e caktuar me vendimin nr. 12“, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Burimi