
17 vjet nga tragjedia e Gërdecit, familjarët: Nuk po shohim dritë në fund të tunelit!
17 vite nga tragjedia në Gërdec, familjarët e viktimave kryen të shtunën homazhet për 26 të afërmit që humbën jetën nga shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municioneve të vjetra luftarake.
Mesditën e 15 marsit 2008, vala goditëse e shpërthimit rezultoi fatale edhe për banorët e fshatit të vogël të Qarkut Tiranë, të cilët ndodheshin në një distancë të afërt me fabrikën.
Një nga viktimat ishte edhe Erisoni 6-vjeçar, vogëlushi i ndjerë që është kthyer në kauzë për drejtësi ndaj përgjegjësve të tragjedisë. Babai i tij, Feruzan Durdaj, tha gjatë homazheve se jeta e tij ka pak rëndësi me humbjen e djalit, kunatës dhe vjehrrës së tij.
“6 vjeç ishte. Në klasë të parë. Doli për të luajtur me biçikletë, në qejfin e vet, me ëndrrat e veta. Nuk di çfarë të them. Më është shkatërruar jeta, çdo gjë. Nuk ma ndien asgjë për veten time, se jetoj, se vdes. Isha shumë i gëzuar, me familje, me shtëpi, me punë e të gjitha,” tha z. Durdaj.
Dosja “Gërdeci” ndodhet tashmë në duart e prokurorëve specialë të SPAK-ut. Paditësit kanë kërkuar që drejtësia të fillojë të jepet nga ish-ministri i Mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu.
Sipas z. Durdaj, seancat gjyqësore vijojnë, por procesi duket se nuk po sjell rezultate aq shpejt sa ç’e prisnin.
“Shohim diçka në proceset gjyqësore. Dukemi sikur jemi ne fajtorët, jo ata që na kanë bërë dëme. Na ngrihet i pandehuri dhe na kërcënon në sallë të gjyqit: ‘Mbylleni gojën, qepeni gojën’. Ne kërkojmë që seancat të bëhen rregullisht. Ato zgjasin pa fund. Vajti dy vjet që jemi në këtë proces dhe asgjë nuk shohim. Nuk shohim dritë në fund të tunelit. Mendoj se po zvarritet,” u shpreh babai i 6-vjeçarit që humbi tragjikisht jetën 17 vjet më parë.
Dëmet e shumta materiale në fshatin Gërdec janë rikuperuar që prej marsit të 2008-ës.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa e ka kundërshtuar procesin ndaj tij si në shkelje të Kodit Penal dhe Kushtetutës.
Burimi