“Zvarritje e hetimeve për mbetjet e rrezikshme”, PD: Qeveria po pengon transparencën për të ruajtur Kumbaron dhe Vengun

“Zvarritje e hetimeve për mbetjet e rrezikshme”, PD: Qeveria po pengon transparencën për të ruajtur Kumbaron dhe Vengun

Partia Demokratike ka ngritur sërish shqetësimin për zvarritjen e hetimeve mbi trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, duke e cilësuar këtë proces si të dyshimtë dhe të ndikuar politikisht.
Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, kritikoi Prokurorinë e Durrësit për vonesën në analizimin e 102 kontejnerëve me mbetje toksike, të cilët u refuzuan nga Tajlanda dhe u kthyen në Shqipëri verën e kaluar.
“Shtatë muaj pas sekuestrimit të tyre, Prokuroria ende nuk kishte identifikuar një laborator për analizat, duke vonuar hetimet në mënyrë të pajustifikueshme,” tha Muçollari. Ai përmendi edhe një rast të fundit në Ankona, ku një tjetër sasi mbetjesh toksike e nisur nga Durrësi u kap nga autoritetet italiane.
Sipas tij, vonesat e organit të akuzës nuk janë rastësi, por një përpjekje për të mbrojtur anëtarë të qeverisë, të cilët, siç pretendon PD, kanë përgjegjësi direkte në këtë trafik. Ai përmendi me emër Ministren Mirela Kumbaro dhe Ministrin Pirro Vengu, duke i cilësuar si përgjegjës për mosveprimin ndaj këtij fenomeni.
Muçollari deklaroi se institucione ndërkombëtare si Rrjeti i Bazelit dhe zyra e BE-së, OLAF, ishin të gatshme të ndihmonin në zbardhjen e çështjes, por pavarësisht kësaj, hetimet mbetën në duart e prokurorisë, e cila, sipas tij, po i shërben më shumë imazhit të qeverisë sesa interesit publik.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të ndaluar trafikimin e lëndëve të rrezikshme dhe siguroi se një ndryshim në këtë drejtim do të vijë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente