Zgjedhjet 2025, Celibashi: Votimi elektronik nuk bëhet dot në 6 qarqe, maksimumi në 3

Zgjedhjet 2025, Celibashi: Votimi elektronik nuk bëhet dot në 6 qarqe, maksimumi në 3

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi sot se, nuk ka më kohë për të kryer votim elektronik në 6 qarqe, teksa shanset janë maksimumi për të kryer votim elektronik deri në 3 qarqe.
I pyetur nëse mund të bëhet një reformë zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2025, Celibashi u shpreh se, “ka shumë pak kohë tani deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme kështu që nuk e di, E para do të duhet të kuptojmë se cili është koncepti i një reformë të thellë. Është e qartë që ka akoma shumë për të bërë në lidhje me çështjet e administrimit zgjedhor. Për disa prej këtyre çështjeve mundet akoma të ketë kohë. Po besoj për shumë çështje të tjera koha tashmë ka kaluar”.
Por, shtoi ai, “gjithsesi nëse politika e gjen gjuhën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor ne jemi të detyruar që t’i përgjigjemi këtyre ndryshimeve”
I pyetur lidhur me votimin elektronik në zgjedhjet 2025, Celibashi tha se është shumë vonë për t’u shtrirë në 6 qarqe.
“Mendoj që shtrirja e votimit elektronik në 6 qarqe është thuajse e pamundur. KQZ nuk e ka kohën në dispozicion. Nuk ka mundësi që ta përgatisë votimin elektronik në 6 qarqe. Ndoshta ka akoma kohë për të diskutuar dhe për të vendosur nëse në 1 ose 2 apo maksimumi 3 qarqe të tjera të shtrihet procesi”, tha ai.
Celibashi u shpreh se, “jemi në fakt në një proces diskutimi më përfaqësues të partive politike për këtë çështje. Jemi duke finalizuar. Besoj brenda kësaj jave finalizojmë draftet përkatëse për votimin nga jashtë. Drafti i parë ka të bëjë me aktin e regjistrimit të votuesve nga jashtë dhe mendoj që brenda afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor këto akte do të kalojnë për shqyrtim nga Rregullatori dhe do të marrin miratimin e këtij organi”.
Burimi