Zbulohet shkaku i të vjellave gjatë shtatzënisë, rriten shpresat…
Shkencëtarët kanë zbuluar më në fund pse shumë gra përjetojnë të vjella në mëngjes gjatë shtatzënisë, duke rritur perspektivat për një kurë për këtë gjendje.
Studimi zbuloi se një hormon i prodhuar nga fetusi është shkaktari për të vjella në shtatzëni, të cilat në raste ekstreme mund të kërkojnë trajtim spitalor. Në mënyrë thelbësore, gratë që kanë nivele natyrale të ulëta të hormonit para shtatzënisë priren të jenë më të ndjeshme ndaj rritjes së hormonit, të quajtur GDF15, në tremujorin e parë, sugjeron studimi.
“Tani e dimë se gratë sëmuren gjatë shtatzënisë kur ekspozohen ndaj niveleve më të larta të hormonit GDF15”, thotë Marlena Fejzo, pedagoge në Shkollën Keck të Universitetit të Kalifornisë.
Të përzierat dhe të vjellat prekin rreth 80% të grave në një moment gjatë shtatzënisë. Rreth 2% e grave, përjetojnë një formë ekstreme të gjendjes në mëngjes të quajtur hyperemesis gravidarum (HG), e cila mund të çojë në humbje peshe, dehidrim dhe shtrimin në spital. Megjithatë, deri më tani, shkaku themelor i sëmundjes së shtatzënisë ishte i paqartë.
Megjithëse ka disa terapi pjesërisht efektive për të, mungesa e të kuptuarit shkencor të çrregullimit, e shoqëruar nga frika e përdorimit të ilaçeve gjatë shtatzënisë, nënkupton që shumë gra nuk trajtohen në mënyrë adekuate.
Charlotte Hoëden, shefja ekzekutive e Organizatës për Mbështetjen e Sëmundjeve të Shtatzënësisë, tha se mjeku i saj i përgjithshëm i sugjeroi të provonte xhenxhefil ose “të hante pak dhe shpesh” kur ajo kërkoi ndihmë për HG dhe më pas u shtrua në spital disa herë gjatë shtatzënisë.
Studimi më i fundit mund të sjellë edhe kurën për këtë shqetësim.
Ulja e hormonit ose bllokimi i veprimit të tij, mund të parandalojë gjendjen. Një tjetër qasje mund të jetë “përgatitja” e grave duke i ekspozuar ato ndaj hormonit para shtatzënisë.
“Shumica e grave që mbeten shtatzënë përjetojnë të vjella dhe megjithëse kjo nuk është e këndshme, për disa gra mund të jetë shumë më keq pasi të sëmuren aq shumë sa kërkojnë trajtim dhe madje edhe shtrimin në spital”, thotë Stephen O. Rahilly, bashkëdrejtor i Institutit të Shkencave në Universitetin e Kembrixh.
Ai tha se foshnja që rritet në mitër prodhon hormonin në nivelet me të cilat nëna nuk është mësuar.
“Sa më e ndjeshme të jetë ajo ndaj këtij hormoni, aq më e sëmurë do të bëhet. Njohja e kësaj na jep një të dhënë se si mund ta parandalojmë që kjo të ndodhë”.
Burimi