
Zbardhet dinamika e aksidentit me 4 viktima/ Tre të arrestuar, në kërkim administratori i firmës
Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, si përgjegjës për aksidentin e regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin Vorë – Fushë Krujë, ku humbën jetën 4 të rinj.
Në pranga është vënë drejtuesi i betoniereses Aleksandër Krrashi, 24 vjeç. Policia raporton se ai ishte i pajisur me leje drejtimi, por jo për mjetet e rënda. Blutë e kryeqytetit raportojnë se në momentin e aksidentit ai kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Sipas Policisë, dyshohet se 25-vjeçari Enejdi Laçi, po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara me automjetin e tij tip “Mercedez Benz” dhe ka përplasur nga mbrapa betonieren. Pas përplasjes, makina ka shpërthyer në flakë, dhe fatkeqësisht kanë humbur jetën, veç shoferit, dhe vëllai i tij pasagjer Erildi Laçi, 20 vjeç, dhe dy pasagjerët e tjerë Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç, duke u djegur brenda mjetit.
Erildi Laçi sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe i vëllai i tij, së bashku me kushëririn dhe shokun kishin shkuar për ta marrë në aeroportin e Rinasit.
Viktimat
Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i policise
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në pranga është vënë dhe i afërmi i shoferit të betonieres, shtetasi Valentin Krrashi, 25 vjeç, i cili dyshohet se e ka larguar 24-vjeçarin me automjet nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu, Policia njofton edhe arrestimin e shtetasit Danjel Koxha,, 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar Aleksandër Krrashi. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.” – njofton Policia.
Po ashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç, teksa Policia thotë se po punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Burimi