Vuçiç: Sjellja e Kurtit, tentativë për të provokuar luftë

Vuçiç: Sjellja e Kurtit, tentativë për të provokuar luftë

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se sjellja e Albin Kurtit duke arrestuar serbet dhe mbyllur arbitrarisht objektet e postës serbe në veri ishte një përpjekje për të provokuar luftë të organizuar, hap ky i mbështetur sipas tij edhe nga disa fuqi perëndimore. “Serbia nuk dëshiron luftë dhe dëshiron të ruajë paqen,” tha Vuçiç.
Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Albin Kurti i bën këto lëvizje qëllimisht dhe me mbështetjen e disa fuqive perëndimore. Qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar është i turpshëm dhe i vrazhdë, sepse ne kushte te tilla na ftojnë qe të flasim sërish për lëvizjet e njëanshme e të paligjshme të Kurtit. Çfarëdo marrëzie qe të bëjë Kurti, ndërkombëtarët na thërrasin për të diskutuar ato norma që ai ka shkelur brutalisht. Unë personalisht kam folur me Lajçakun, i kam dërguar një mesazh të qartë, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjmë.
Ndërkaq BE ka deklaruar se mbyllja e nëntë degëve të postës së Serbisë në veri të Kosovës është hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar që shkel marrëveshjet nga dialogu mes Kosovës dhe Beogradit. Në deklaratën e Brukselit thuhet se si pjesë të marrëveshjes të telekomunikacionit të arritur në vitin 2013 dhe planit të veprimit të rënë dakord në vitin 2015, të dyja palët janë marrë vesh të diskutojnë shërbimet postare në një fazë të mëvonshme, duke pranuar kështu se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.

BE shprehet i gatshëm që ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të radhës në kuadër të dialogut, ndërsa pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për një zgjidhje. Ndërkaq Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar se është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e një anshme dhe të pakoordinuara të marra nga qeveria Kurti për mbylljen e degës të Postës Serbe në veri.
Ambasada u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të ndalojnë veprimet e njëanshme dhe të kthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga ana e BE për të gjetur zgjidhje, për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Burimi