Vendimi i Burgjeve/ Të hënën Fredi Beleri del nga qelia me 5 ditë leje
Drejtoria e Burgjeve la pranuar kërkesën për leje të Fredi Belerit, për të udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si eurodeputet në Parlamentin Evropian.
Mësohet se leja për Belerin është dhënë për pesë ditë, duke nisur nga dita e hënë, më datë 15 korrik, në orën 10:00.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Pak ditë më parë ai i bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik. Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Gjithsesi, arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e kryebashkiakut nuk arriti ta ushtronte, pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak, sikundër përcaktohet në ligj.
Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës. Para disa kohësh, pas një procesi me dritëhije, Gjykata e Posaçme e gjeti të drejtë kërkesën e SPAK-ut dhe shpalli fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për proces të parregullt dhe të ndikuar politikisht.
Beleri ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar nuk ka ndonjë pengesë ligjore për ta marrë lejen për të qenë që në sesionin parlamentar që zhvillohet në Strasburg, Francë në datat 15-20 Korrik 2024.
Shkresën që Beleri i ka drejtuar Drejtorisë së Burgjeve është për të marrë leje 7 ditore.
Bazuar në nenin 72 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, kërkuesi plotëson kushtet për të përfituar leje shpërblyese deri në 20 ditë në vit, të drejtë të cilën nuk e ka ushtruar asnjëherë.
Gjithashtu si anëtar i Parlamentit Europian, i gjykuari Dhionisios Alfred Beleri është njoftuar nga Parlamenti Europian se duhet të jetë i pranishëm në Sesionin që zhvillohet në Strasburg, Francë në datat 15-20 Korrik 2024.
“Kërkuesi ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar, sipas nenit 72/2 të ligjit nr. 81/2020, plotëson kushtet e nenit 72/1 të ligjit nr. 81/2020, nuk ka marrë asnjëherë leje shpërblyese, dhe duke qënë se bazuar në këtë nen, Ju, me cilësine e drejtuesit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, keni kompetencën e shqyrtimit, Ju drejtohet me kërkesë për dhënien e Lejes Shperblyese, me kohëzgjatje deri në 7 ditë, me qëllim që të kryejë angazhimet e detyrueshme të tij me cilësine e Anëtarit të Parlamentit Europian, të marrjes pjesë në Asamblenë e Parlamentit Europian në Strasburg Francë nga datat 15-20 korrik 2020″ thuhet në kërkesën e Fredi Belerit.
gijotina.com/
Burimi