Vendet e varfra po i ndalojnë importet e plehrave, ndërsa Shqipëria po bën të kundërtën
Nga Gjergj Erebara
Deri në vitin 2017, Kina ishte, mes shumë gjërash të tjera, gjigandi ndërkombëtar në përdorimin e materialeve të riciklueshme, të tilla si plastika, letra apo metalet. Nga e gjithë bota, anijet e ngarkuara me mbetje mbërrinin në Kinë ku, teorikisht, proceset e përpunimit të tyre kushtojnë më lirë për shkak të krahut të lirë të punës se sa, në vende të pasura, fjala vjen, Shtetet e Bashkuara.
Në këtë vit, Kina vendosi se kishte importuar plehra mjaftueshëm shumë sa të bezdisej. Ajo nisi Operacionin “Shpata Kombëtare” dhe ndaloi importin e plehrave. Arsyeja, pjesa më e madhe e plehrave të importuara me qëllim riciklimin ishin të ndotura apo të pavlefshme për riciklim, kështu që ato përfundonin menjëherë në landfill pas importimit. [link]
Vendimi i Kinës shkaktoi telashe për shumë vende të pasura, të cilat prodhojnë plehra me tepri, për shkak se janë të pasura dhe për shkak se nuk duan kokëçarje gjatë jetesës së vet të përditshme. Vietnami pasoi Kinën duke njoftuar ndalime në importin e mbetjeve në vitin 2018. [Link] Edhe këtu, problemi ishte i njëjtë. Ajo që importohej si lëndë e parë, ishte në fakt mbeturinë për groposje.
Pak vite më vonë, problemi u shfaq në Rumani. Kini parasysh se Rumania është një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zbaton legjislacionin e Bashkimit Evropian, legjislacion që mes të tjerash, lejon kalimin tranzit apo importimin e lëndëve të para të nxjerra nga procesi i ndarjes në burim apo në impiante të mbeturinave. Problemi ishte se edhe këtu, njësoj si në Kinë, përmes dokumentacioneve që sugjeronin se mbeturinat ishin për qëllime tranziti në territorin e Rumanisë apo se po importoheshin si lëndë e parë, në fakt përfundonin të groposura. Në mungesë të Kinës, Rumania dhe disa vende të tjera të botës u kthyen papritur në fushat e plehrave të botës së pasur. [Link]
Në linkun më sipër mund të gjeni një lajm nga Radio Evropa e Lirë, e cila, në vitin 2021 citon ministrin e mjedisit të Rumanisë: “Ajo që në teori sillet me këto kontenierë është lëndë e parë për riciklim,” tha Tanczos Barna. “Po them ‘teorikisht’ për shkak se shumë shpesh në këto kontenierë ka diçka tjetër nga çfarë deklarohet.”
Duke hasur të njëjtin telash, vitin e kaluar, Tailanda njoftoi ndalimin e importit të plehrave. Tani është Indonezia vendi që po bëhet gropë plehrash të botës dhe po mendon të bllokojë importet, të cilat, teorikisht vijojnë të mos kenë asgjë të keqe.
Qeveria shqiptare ka propozuar së fundmi edhe një herë, për herë të katërt në 20 vjet, lejimin e importit të plehrave, propozim ky brenda kuadrit të përfitimeve teorike të pak fabrikave që Shqipëria ka dhe që kanë kërkesa për materiale të tilla. Sipas propozimit, kërkesat për importe do t’i bëhen Këshillit të Ministrave, i cili, do të miratojë, rast pas rasti, kërkesat për import.
Shqipëria e ka dëgjuar këtë histori edhe më parë.
/Reporter.al/
Burimi