UEFA për stadiumin “Air Albania”: Fortesa që i dha suksesin Kombëtares Shqiptare

UEFA për stadiumin “Air Albania”: Fortesa që i dha suksesin Kombëtares Shqiptare

UEFA i ka kushtuar një artikull special investimit më të madh në historinë e sportit shqiptar, stadiumit “Arena Kombëtare”. Impakti që pati ndërtimi i tij si nga aspekti sportiv, por edhe ai social e ekonomik është në fokus të aritullit që UEFA i ka kushtuar stadiumit “Arena Albania”, i ndërtuar nga fondet e FSHF-së dhe nga programi HatTrick i UEFA-s. Impianti ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm te Kombëtarja shqiptare që siguroi edhe pjesëmarrjen për herë të dytë në Europian.
NJË FORTESË
UEFA thekson se stadiumi “Air Albania”, i inauguruar në vitin 2019, është kthyer në një fortesë të pamposhtur për kuqezinjtë, që gjatë kualifikueseve arritën 3 fitore dhe një barazim, 7 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar në shtëpi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë prononcimit të tij për UEFA-n theksoi se stadiumi ka ndikuar në performancën e ekipit Kombëtar dhe mbështetja e madhe nga tifozët është kthyer në një makth për çdo skuadër kundërshtare. “Ambientet moderne dhe mjedisi profesional kanë rritur ndjeshëm moralin dhe performancën e lojtarëve. Ambientet e nivelit të lartë stërvitor të stadiumit kanë mundësuar përgatitje dhe rikuperim më efektiv, ndërsa mbështetja pasionante në shtëpi ka krijuar një atmosferë frikësuese për ekipet kundërshtare, duke u ofruar lojtarëve tanë një avantazh psikologjik”, tha Duka.
UEFA më tej thekson se stadiumi në zemër të Tiranës, është shumë më tepër se një terren sportiv. Është një simbol i planit strategjik të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të futbollit dhe një katalizator për rigjallërimin e ekonomisë vendase, gjë që konfirmohet edhe nga Presidenti Duka. “Ndërtimi i stadiumit ishte një hap vizionar që synonte transformimin e peizazhit të futbollit shqiptar. Është gjithashtu një pjesë kyçe e strukturës kulturore dhe sociale të qytetit, e rëndësishme për rigjallërimin e komunitetit lokal në Tiranë”.
UEFA shton se gjatë fushatës kualifikuese për “EURO 2024” stadiumi “Arena Kombëtare” ishte i tejmbushur dhe rritja e të ardhurave ka hapur një cikël të ri investimesh për FSHF-në. “Suksesi i ekipit tonë Kombëtar, i mishëruar nga arritjet e tyre në stadiumin “Arena Kombëtare”, shërben si një frymëzim i fuqishëm për futbollistët e të ardhmes në të gjithë vendin. Ne kemi ndërmarrë iniciativa të shumta për të përfituar nga ky moment, duke përfshirë programet e futbollit të bazës, partneritetet me shkollat dhe akademitë”, tha Presidenti Duka.
GJIMSHITI: “KA GJITHÇKA QË NA DUHET”
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, në prononcimin për UEFA-n rrëfen se infrastruktura është shumë e mirë dhe përmban gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë. “Ka gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë. Infrastruktura është më e mirë, duke e bërë shumë më të lehtë për ne dhe për tifozët të shpërndajnë energjinë dhe mbështetjen e tyre. Është sikur kemi një lojtar të 12-të që na motivon dhe na shtyn përpara. Ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tonë” – tha Berat Gjimshiti.
Në fund UEFA shton: Stadiumi “Arena Kombëtare” priti finalen e parë historike të UEFA Europa Conference League në vitin 2022, duke u dhënë mijëra njerëzve mundësinë të përjetojnë një finale të madhe të futbollit europian në vendin e tyre. Qindra të tjerë u përfshinë si vullnetarë, duke hedhur themelet për krijimin e një programi vullnetar të futbollit nga FSHF.
Burimi