“U shtuan 311 votues”, KQZ pranon se fryrja e listave në Himarë “mund të ketë ndodhur…”

“U shtuan 311 votues”, KQZ pranon se fryrja e listave në Himarë “mund të ketë ndodhur…”

KQZ pranon se listat e votuesve në Himarë janë manipuluar. Nënkomisionerja shtetërore e Zgjedhjeve Lealba Pelinku, thotë se ende nuk ka një përgjigje nga drejtoria e Gjendjes Civile për shqetësimin që disa ditë më parë ngriti për fryrjen e listave të zgjedhjeve.
“Duke pasur parasysh një rritje anormale, parë ecurinë e ndryshimit të zgjedhësve në këtë bashki kemi kërkuar specifikimin e datave. Ka dyshime se ndryshimet kanë ndodhur në ditët pranë daljes së dekretit të presidentit për zgjedhjet e Himarës” tha ajo.
23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë kryebashkiakun e Himarës duke i dhënë fund sagës së drejtimit të Bashkisë pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit e disa muaj pas tij edhe kryetarit në detyrë Jorgo Goro.
Një ditë më parë, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso denoncoi sot nga selia blu se kryeministri Edi Rama po çon në Himarë ‘votues strategjikë’, oligarkët që jetojnë disa javë aty, me qëllim që të marrin pjesë në procesin zgjedhor të 4 gushtit.
Kaso theksoi se lista përfundimtare e zgjedhësve, e prillit 2023, është fryrë duke e shtuar me 311 votues listën përfundimtare të korrikut 2024.
“I bëjmë thirrje Komisionerit të Zgjedhjeve të monitorojë dhe raportojë për situatën dhe organizatave partnere ndërkombëtare të mbajnë shënim dhe të reagojnë për këtë shtrembërim të hartës elektorale dhe vullnetit të votuesve himarjotë”, u shpreh Kaso.
Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po bëhen përgatitjet e fundit për zgjedhjet e së dielës në Himarë. KQZ testoi pajisjen që bën identifikimin biometrik të zgjedhësve, që shmang votimin e dyfishtë apo tentativën për të votuar në emër të të tjerëve.
Nënkomisionerja shtetërore e Zgjedhjeve Lealba Pelinku tha se janë marrë të gjitha masat, që të paktën, në zgjedhjet e një klime të nxehtë politike, të shmangen problemet teknike.
“Testimi shkoi në rregull, rezultuan që pajisjet janë në rregull, konform të gjitha rregullave teknike, shpresojmë të mos kemi probleme të natyrës teknike të mos ndodhin më’, tha ajo.
Problematikë në të gjitha zgjedhjet janë edhe operatorët teknikë që vënë në përdorim pajisjen PEI. Pelinku thotë se në rast surprizash, KQZ do të angazhojë stafin në qendër për të asistuar përdorimin e pajisjes.
‘Në momentin që flasim cdo qv është e mbuluar me operatorë teknikë, kemi hasur vështirësi në rekrutimin e tyre, ka patur tërheqje të operatorëve për shkak të sezonit, të rinjtë janë jashtë ose të punësuar në vende të tjera pune, plani rezervë është që stafi i kqz do të bëjë operatorin e pajisjes së identifikimit biometrik”, tha ajo..
gijotina.com/
Burimi