U godit nga helika e gomones në Karaburun, ndërron jetë ish-basketbollisti

U godit nga helika e gomones në Karaburun, ndërron jetë ish-basketbollisti

Ka ndërruar jetë 60-vjeçari, i cili në korrik u plagos rëndë nga helika e një gomone, në Gjirin e Shën Janit në Karaburun. Mësohet se  Alban Kukaviqi, i cili ka qenë edhe basketbollist u nda nga jeta gjatë një ndërhyrje në një spital në Turqi.
Alban Kukaviqi, ish-basketbollist, prej 31 vjetësh, punonjës në Inspektoratin Shtetëror të Punës, kishte shkuar në pushime me familjen. Ai kishte zbritur nga një anije turistike në Karaburun, kur u plagos në këmbë nga helika e gomones në molin e vjetër të ushtrisë në gjirin e Shën Janit, jo zonë plazhi.
Fillimisht u transportua në spitalin e Traumës, ku qëndroi gjatë dhe pati probleme në 2 operacionet e para pasi nuk arriti të mbante narkozën. Më tej u nis drejt Turqisë për mjekim më të specializuar, por fatkeqësisht humbi jetën gjatë operacionit të tretë që po bënte për të vendosur protezë në këmbën e dobësuar.
“Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës.
Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta!
Lamtumirë, i dashur koleg! Mënçuria, mirësia dhe humori jot do të na mungojë shumë! Përjetësisht në kujtimet tona!”, thuhet ne reagimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Burimi