Tirana e fundit në Europë për cilësinë e jetës, Këlliçi: Arritja më e fundit e kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal 5D
Tirana renditet e fundit (74) në Europë për kryeqytetet, sipas indeksit të Cilësisë së Jetës përpiluar nga Numbeo, duke lënë pas në listën totale me 75 qytete në Europë vetëm qytetin rus Novosibirsk. Pas publikimit të këtij raporti, ka reaguar ish-kandidati i opozitës për kreun e bashkisë së Tiranës, Belind Këllliçi.
Në një postim në faqen e tij në “FB”, duke iu referuar kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ai shkruan me ironi se me siguri, pronari faktik i inceneratorit Tiranë do organizojë një koncert me vlerë qindra mijra euro, për ta festuar këtë arritje madhore.
“Arritja më e fundit e kreut të Grupit të Strukturuar Kriminal 5D është shpallja e Tiranës si kryeqyteti Evropian i ndotjes dhe cilësisë së ulët të jetesës! Tirana renditet e fundit (74) në Europë për kryeqytetet, sipas indeksit të Cilësisë së Jetës përpiluar nga Numbeo, duke lënë pas në listën totale me 75 qytete në Europë vetëm qytetin rus Novosibirsk. Kryeqyteti shqiptar ka marrë një vlerësim total 98.5 pikë (sa më i ulët aq më keq), duke hyrë tek qytetet ku cilësia e jetës është e ulët. Elementi më negativ që penalizon kryeqytetin shqiptar është ndotja, që konsiderohet si shumë e lartë, në vendin e dytë, duke lënë pas vetëm qytetin rus të Novosibirsk”, shkruan Këllliçi.
“Çmimet e larta të pronave, në raport me të ardhurat janë një tjetër element që ul kryeqytetin në renditje. Tirana vlerësohet si e 13-a më e shtrenjta nga 72 qytete, në raportin e çmimit ndaj të ardhurave. I matur sipas fuqisë blerëse, një apartament në kryeqytet kushton më shumë se në Munih, Romë, Athinë, Londër, Vjenë, Berlin. Me siguri pronari faktik i inceneratorit Tiranë do organizojë një koncert me vlerë qindra mijra euro, për ta festuar këtë arritje madhore. Mediat e inceneratorëve do mbushin kronikat, faqet e para dhe emisionet e mbrëmjes me lajme madhështore nga kjo arritje e kryehajdutit të Tiranës”, shton ai.
Burimi