Teliti: Çmimet e banesave në Tiranë, të papërballueshme për familjarin e ndershëm

Teliti: Çmimet e banesave në Tiranë, të papërballueshme për familjarin e ndershëm

Këshilltari për çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, depozitoi sot në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit projektvendimin që, sipas tij, sjell impakt pozitiv në rritjen e konkurrencës, uljen e kostove të ndërtimit dhe uljen e çmimit të shitjes së banesave për familjet e Tiranës.
Teliti thekson se rritja stratosferike e çmimeve të shitjes së banesave në Tiranë, janë të papërballueshme për familjarin e ndershëm.
Statusi i Telitit:
Miq,  nisur nga rritja stratosferike e çmimeve të shitjes së banesave në Tiranë, çmime të papërballueshme për familjarin e ndershëm.
Nisur nga rritja e çmimeve të referencës me mesatarisht 53% në territorin e Bashkisë Tiranë që prej korrikut 2023.
Nisur nga fakti që parapagimi i plotë i taksës 8% ka passjellë daljen padrejtësisht nga tregu të qindra ndërtuesve të ndershëm.
Nisur nga fakti që propozimi i opozitës në dhjetor 2023 për përgjysmimin e taksës së infrastrukturës, nga 8% në 4%, u hodh poshtë padrejtësisht nga Veliaj dhe këshilltarët e tij.
Nisur edhe nga kërkesa e ditëve të fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, të cilët kërkojnë vendosjen e një grafiku pagesash me këste për taksën e infrastrukturës,
Sot depozitova në Këshillin Bashkiak projektvendimin për vendosjen e një grafiku për pagesën e taksës së infrastrukturës, konkretisht me 3 (tre) këste të barabarta.
Kjo masë e propozuar do ketë rezultate pozitive si në rritjen e konkurrencës në sektorin e ndërtimit, ulje të kostove të ndërtimit dhe automatikisht edhe uljen e çmimeve të shitjes.
I bëj thirrje këshilltarëve të mazhorancës ta mbështesin këtë propozim, nga i cili fiton si familjari ashtu edhe sipërmarrja e ndershme e Kryeqytetit.
Burimi