Tabaku: Nuk mund të ketë demokraci, kur sulmohet politikisht opozita

Tabaku: Nuk mund të ketë demokraci, kur sulmohet politikisht opozita

Mëngjesin e sotëm u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjet Europiane, ku është shqyrtuar draft Pozicioni Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët” në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pritet që më 15 tetor të hapet zyrtarisht ky grup kapitujsh për Shqipërinë, pas ndarjes së procesit integrues me Maqedoninë e Veriut.
Vetëm 2 deputetë demokratë, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka morën pjesë, ndërsa deputetët e tjerë nuk ishin të pranishëm.
Në fillim të mbledhjes, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin për balancën e pushteteve në vend. Ajo theksoi se ky hap drejt BE-së duhet të shërbejë për ndërtimin e një demokracie perëndimore dhe ndarjen e pushteteve, por paralajmëroi se ende mbeten shumë kritere të paplotësuara. Sipas saj, ka një mungesë të vullnetit politik për reformimin e sistemit zgjedhor dhe kjo reformë duhet të realizohet brenda vitit 2024, jo më 2025, siç propozon mazhoranca.
Tabaku gjithashtu nënvizoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të mandateve të deputetëve, duke iu referuar rastit të deputetit Ervin Salianji. Ajo përmendi edhe mungesën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si një prej problematikave kryesore që duhet adresuar.
Deputetja demokrate theksoi se ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë. Sipas saj, nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale.
“Të nderuar kolegë, Ju faleminderit për pjesëmarrjen e në mbledhjen e radhës së Komisionit të Çështjeve Europiane e cila sot çel ditën me diskutimin e Pozicioneve Negociuese për Grup kapitullin e Parë që njihet si Themeloret.
Në datën 25 shtator Kryenegociatorja më informoi që Qeveria Shqiptare ka marrë një kërkesë nga presidenca Hungareze për të dorëzuar Pozicionet Negociuese për Grup Kapitullin e Parë që do të thotë që është gati për përgatitja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare.
Për të qenë të ndershëm deri në fund me njëri tjetrin, data e sotme për hapjen e negociatave duhet të ishte një dekadë më parë. Asokohe kur iu futëm detit me dallgë në këmbë për të siguruar një tryezë në procesin e anëtarësimit dhe të gjithë biem dakord që kjo bisedë duhet të ishte zhvilluar dhjetë vjet më parë, në vitin 2014 kur Shqipëria kish luftuar në detin me dallgë dhe ia kish dalë. Ndërkohë që ai vendim nuk erdhi kurrë shqiptarët morën detin mes dallgësh e u larguan këmbësh nëpër Europë, duke e lënë politikën në festën e saj të përvitshme të shterpësisë që shitej si hapje negociatash.
Ky është një moment i mirë për Shqipërinë që në këtë dekadë është zhytur edhe më shumë në një udhëkryq në të cilin vazhdon të qëndrojë thuajse pambarimisht me halle dhe shqetësime të vetë shkaktuara nga një tranzicion i gjatë edhe i pashoq me asnjë nga vendet e rajonit; me normën më të lartë të largimit, me probleme që kalojnë nga pastrimi parave e deri tek Krimi Organizuar dhe Korrupsioni. Një vend i cili nuk organizon dot zgjedhje normale, ku balanca e pushteteve është në rrezik.
Por thënë këtë, si kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe si përfaqësuese e opozitës më duhet të sqaroj se:
Partia Demokratike është e vetëdijshme që sot ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë e shqiptarët jo për politikën. Prandaj e mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë. Partia Demokratike e ka nisur këtë proces e ajo do ta përfundojë atë pa rënë pre e provokimeve apo dhe insinuatave se ka një ndarje mes procesit të integrimit; Europës dhe Partisë Demokratike. Ne e konsiderojmë këtë proces si mënyrën e vetme për të ndryshuar e transformuar vendin, për të rritur mbikëqyrjen e llogaridhënien, monitorimin veçanërisht me procesin zgjedhor së afërmi.
Situata gjeopolitike dhe lufta e nxitur nga Rusia në Ukrainë ka risjellë përpara BE-së debatin për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Ky është një proces vendimtar për gjeostrategjinë e Bashkimit, por një moment po aq i rëndësishëm për synimin tonë afatgjatë.
Ky hap, që është pjesë e një procesi të gjatë dhe reformues, duhet t’u shërbejë shqiptarëve. Një hap më shumë drejt BE-së do të thotë një Shqipëri më pranë ndërtimit të një demokracie perëndimore dhe sundimit të ligjit, respektit të votës së lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha respektimit të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.
Me keqardhje vërejmë se detyrimet e vendosura për një Shqipëri perëndimore dhe Europiane ende mbeten të paplotësuara.
1. Fatkeqësisht, në “roadmap”-in e miratuar një javë e pak më parë, kemi parë mungesën e vullnetit politik për një reformë zgjedhore konform këshillave të OSBE-ODIHR. Ky dështim vjen prej vullnetit politik të shumicës që refuzon të pranojë faktet e shprehura në rekomandimet e qarta të OSBE-ODIHR mbi përdorimin e buxhetit dhe qeverisë, si dhe pushtetit për të blerë vota, në shkrirjen e shtetit me pushtetin. Përdorimi i institucioneve shtetërore për të ndikuar në votime dhe zgjedhje, si dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve në ndërtimin e një databaze partiake me qëllim përdorimin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Ne propozojmë që kjo të ndodhë brenda vitit 2024, ndryshe sa propozon qeveria mbas zgjedhjeve të 2025.
2. Balanca e pushteteve dhe respektimi i shtetit ligjor janë sot në rrezik Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, ku shpesh korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë mbrojtur përmes forcës së shumicës parlamentare, duke thyer parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fatkeqësisht, akte të tilla shkelin qartësisht kapitujt e sundimit të ligjit dhe provokojnë një krizë kushtetuese të pakuptimtë. Mandatet e deputetëve në Kuvend janë të barabarta dhe nuk mund të trajtohen me standard të dyfishtë.
3. Për herë të parë Shqipëria ka cënuar shkeljen e MSA me mos respektimin e nenit 79 të tij ku kalojnë ligje me porosi që cenojnë konkurrencën dhe procesi prokurues është ndër më korruptivët në vend. Më lejoni të përmend këtu një listë të gjatë të ligjeve me porosi për të cilat kam njoftuar dhe PE dhe Komisionerin duke nisur nga ai i Investimeve Strategjike dhe duke përfunduar tek ai i Zonave të Mbrojtura.
Ndërsa vendi përgatitet të përfshihet në tregun e përbashkët rajonal dhe më tej atë Europian, raportet e ndryshme mbi klimën e mjedisit të biznesit në Shqipëri flasin se bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të lidhura me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe problemet që vijnë nga ekonomia informale dhe zbatimi i dobët i kontratave. Gjatë katër viteve të fundit, këto sfida kanë vazhduar të ndikojnë negativisht në mjedisin e biznesit, me investitorët që shpesh citojnë korrupsionin në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike si pengesa kryesore për investimet dhe zhvillimin ekonomik në vend.
4. Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes, duke krijuar varësi të ngushta midis politikës, biznesit dhe grupeve të interesit. Kjo formë e korrupsionit përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit dhe demokracinë, pasi përqendron pushtetin dhe burimet në duart e pak individëve, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e mirë.
Një shtet i korruptuar është produkt i një lidhjeje të ngushtë mes kapjes së institucioneve të qeverisjes nga grupet kriminale. Lidhjet e tyre të forta me njerëz të rëndësishëm në drejtimin e policisë dhe jo vetëm, dëshmojnë një lidhje të fortë mes krimit të organizuar dhe politikës, që shfaqet si në favore penale ashtu edhe në ato përmes tenderave dhe jo vetëm.
5. Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në lidhje me flukset financiare të paligjshme (IFF), të nxitura nga korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave përmes transaksioneve tregtare. Gjatë periudhës 2020-2022, Shqipëria përjetoi dalje të konsiderueshme të flukseve financiare të paligjshme, që përfaqësonin 2.16% të PBB-së, ndërsa flukset e paligjshme hyrëse përbënin 0.84% të PBB-së.
Abuzimi me pushtetin publik për përfitime personale është një faktor kryesor në gjenerimin e IFF-ve, ku praktikat korruptive janë të rrënjosura në shumë sektorë. Këto praktika shpesh përfshijnë transaksione financiare ndërkufitare, duke vështirësuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë është veçanërisht i përhapur, me figura politike që shpesh përfshihen në veprimtari korruptive, duke përdorur pasuri të patundshme dhe llogari jashtë vendit për pastrimin e fondeve të paligjshme. Efektet ekonomike të këtyre veprimtarive janë të mëdha, me faturime të rreme në eksportet dhe importet shqiptare që arrijnë mesatarisht në 904 milionë dollarë në vit (10 vjecari i fundit), rreth 6% të PBB-së nominale. Këto tregues nënvizojnë nevojën për reformuar kryekëput operacionet qeveritare.
Për këtë arsye është e nevojshme përafrimi i standarteve dhe praktikave më të mira për të bërin biznes e investimet e huaja të BE për të rikthyer tregun dhe konkurueshmërinë.
Pastrimi i parave në Shqipëri është ngushtësisht i lidhur me skema komplekse që përdoren nga kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme. Këto skema përfshijnë shpesh një rrjet të ndërlikuar transaksionesh financiare, duke përfshirë përdorimin e kompanive fantazmë, llogarive offshore dhe kontratave të falsifikuara, për të zhvendosur dhe fshehur përfitimet e paligjshme. Sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e patundshme dhe turizmi, ku shpesh integrohen të ardhurat e paligjshme në ekonominë formale. Midis viteve 2017 dhe 2019, rreth 60% e firmave të ndërtimit në Tiranë nuk mund të justifikonin burimet e tyre financiare, me një vlerë të vlerësuar prej 1.6 miliardë euro të pastruara përmes sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe.
Sektori i pasurive të patundshme në Shqipëri arriti një nivel rekord të transaksioneve në vitin 2023, me gjithsej 137 miliardë lekë (rreth 1.3 miliardë euro), nxitur nga një bum ndërtimi, veçanërisht në Tiranë. Ky sektor, së bashku me ndërtimin, kontribuoi ndjeshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke përbërë gati 50% të normës së rritjes prej 3.44%. Megjithatë, shqetësimet për pastrimin e parave janë rritur, pasi disa transaksione përfshijnë fonde të paligjshme, duke kontribuar në një rritje prej 41% të çmimeve të pasurive të patundshme në Tiranë nga viti 2021 deri në 2023.
6. Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjatë periudhës zgjedhore, është e rëndësishme të sigurohet trajtimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha forcave politike. Kjo përfshin garantimin e proceseve transparente dhe të drejta për të gjithë liderët politikë dhe zyrtarët lokalë, duke forcuar kështu institucionet demokratike.
7. Për të siguruar një sistem drejtësie efikas dhe të drejtë, është e nevojshme të adresojmë sfidat aktuale. Qytetarët përballen me pritje të gjata për vendime gjyqësore, me një mesatare prej 14.6 vitesh për çështjet civile dhe 10 vitesh për ato penale. Masa duhet të merren për të reduktuar stokun prej 139,000 dosjesh dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, duhet siguruar që prokuroria speciale dhe institucionet e tjera të drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke trajtuar efektivisht çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar pa ndikime politike apo formulave me komisione speciale që ngrihen për propagandë por funksionin e kanë gjetiu.
Ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi me në qendër qytetarët kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë.
Prandaj më lejoni të përshëndes Presidenten e Komisionit Europian, Komisionerin veçanërisht Parlamentin Europian e kryetare e Komisionit të çështjeve të Jashtme (të cilët janë të gjithë të EPP) që kanë qëndruar atje në mbështetje jo të qeverisë, por të Shqipërisë e shqiptarëve”, u shpreh Tabaku.
Burimi