Studimi: Jetesa në lagje të degraduara i bën keq edhe zemrës
A mund të parashikonim rrezikun e sulmit në zemër thjesht duke parë lagjen ku jetojmë?
Kjo nuk është një hipotezë e largët, por rezultat befasues i një studimi të publikuar së fundmi në revistën ”European Heart Journal”.
Duke përdorur Google Street View dhe Inteligjencën Artificiale, një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar një lidhje midis kushteve të zonave urbane dhe rrezikut kardiovaskular, duke shtuar një faktor të ri rreziku atyre tashmë të njohur.
Studimi, i kryer në shtatë qytete amerikane (Bellevue, Brownsville, Cleveland, Denver, Detroit, Fremont, Kansas City) secili i ndarë në zona të populluara mesatarisht nga 4 000 njerëz, analizoi pamjen e zonave urbane dhe e lidhi atë me shëndetin e zemrës së atyre personave që jetojnë atje.
Duke përdorur inteligjencën artificiale dhe 530 000 imazhe të marra nga Google Street View, të cilat ofrojnë një paraqitje të detajuar të lagjeve që i nënshtrohen analizës, shkencëtarët vlerësuan tregues të ndryshëm të “cilësisë së mjedisit”, si prania e hapësirave publike të gjelbra, pastërtia e rrugëve, cilësia e infrastrukturës dhe gjendja e përgjithshme e banimit.
Studiuesit kanë zbuluar se mjedisi i ndërtuar mund të ndikojë indirekt në shëndetin kardiovaskular përmes faktorëve të tillë si stresi, cilësia e ajrit dhe mundësitë për aktivitet fizik.
Të jetosh në një lagje të shkatërruar ose pa hapësira të gjelbra në fakt mund të rrisë stresin kronik, një faktor rreziku i njohur për sëmundjet e zemrës, ndërsa prania e parqeve, pemëve dhe zonave të mirëmbajtura mund të ketë një efekt qetësues.
/adnkronos.com/
Burimi