Starmer i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri: Po shoh si do të funksionojë skema me Italinë
Kryeministri britanik, Keir Starmer është i hapur për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri ndërsa përgatitet të mbajë një mini samit me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, shkruan The Independent.
Kryeministri u tha gazetarëve që udhëtonin me të në Uashington DC përpara se të fluturonte për në Romë se do të shihte sesi do të funksiononte marrëveshja e Italisë me Shqipërinë në lidhje me përpunimin e kërkesave për azil.
Brenda disa ditësh pas marrjes së pushtetit në korrik, Sir Keir anuloi marrëveshjen e diskutueshme të Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila ishte nënshkruar nga qeveria e mëparshme konservatore me një kosto prej 700 milion paund për tatimpaguesit.
Por ai tani duket i hapur ndaj skemave të ngjashme në një vend evropian.
I pyetur konkretisht për skemën e Italisë në Shqipëri, Sir Keir u përgjigj: “Le të shohim. Është ne ditët e para. Unë jam i interesuar se si funksionon kjo. Është ende shumë herët.”
Ai tha se kishte pasur tashmë një diskutim paraprak me Melonin për “si mund të punojnë së bashku për migrimin e parregullt”.
“Ajo sigurisht ka disa ide të forta dhe unë shpresoj t’i diskutoj ato me të.
Ajo dhe unë kemi diskutuar tashmë se si mund të përmirësojmë operacionet e përbashkëta, kështu që kjo është diçka që do të diskutojmë.”
Plani italian që përfshin hapjen e dy kampeve në Shqipëri dhe strehimin e 3 mijë emigrantëve është kritikuar, ndërsa Qeveria e Melonit ka reduktuar në mënyrë dramatike numrin e njerëzve që vijnë nëpër Mesdhe në Itali nga Afrika e Veriut, shkruajnë mediat në Britani.
Burimi