Spiropali u pret rrogën 23 deputetëve të opozitës, nesër vendoset përjashtimi

Spiropali u pret rrogën 23 deputetëve të opozitës, nesër vendoset përjashtimi

Mazhoranca nuk ka humbur kohë duke evidentuar që mbrëmjen e së hënë kolegët protestues të PD-së, të cilët shkaktuan trazira në sallën e seancave dhe jashtë saj, që nga djegia e karrigeve, goditja me mjete të forta dhe pengimi i mbajtjes së fjalës.
Komisioni i Etikës do të vendosë me sa ditë do të përjashtohen nga punimet e Kuvendit pjesëmarrësit në këto akte.
Nga Rregullorja e Kuvendit, mazhoranca kaloi te Kodi Penal. Nëpërmjet Policisë së Shtetit, Qeveria ka dërguar në SPAK për vepra të rënda penale 23 deputetë të opozitës. Në krye të të paditurve, rrezikon më shumë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, që akuzohet për veprat penale “Shkatërrim i Pronës me Zjarr” dhe “Goditje për Shkak të detyrës”. Pas tij, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, për hedhjen e këmbës së karriges në drejtim të kryeparlamentares Spiropali, akuzohet gjithashtu për “Goditje për Shkak të detyrës”. Ndërsa për flakën që u vuri karrigeve, Bledian Nallbati akuzohet nga Policia për veprën penale “Shkatërrim I Pronës me Zjarr”.
Përveç tyre, me Prokurorinë e Posaçme duhet të përballen edhe 20 deputetë të tjerë, jo vetëm të selisë blu por edhe aleatët e PD. I vetmi që mbetet për t’u sqaruar nga emrat e përcjellë nga policia është shtetasi E.B., 51 vjeç i cili me këto iniciale nuk identifikohet me asnjë deputet të Kuvendit. Por duke kryqëzuar të dhënat me emrat që PS ka dërguar për masë në Sekretariatin e Etikës mendohet të jetë Helidon Bushati.
Pas PS dhe Qeverisë, hakmarrja ndaj protestës së demokratëve ka ardhur edhe nga Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila i njofton se dëmi financiar I shkaktuar do t’u mbahet nga rroga.
Zëvendësimi i plotë i karrigeve dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë.
Përjashtimi
Në kërkesën e firmosur nga 11 deputetë socialistë drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ndër masat disiplinore kërkohet edhe përjashtimi i deputetëve demokratë nga seanca plenare dhe komisionet nga 10, 30 dhe 60 ditë.
Gjithashtu në kërkesën e socialistëve theksohet se veprimet e deputetëve të opozitës kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare duke dëmtuar rëndë imazhin e Kuvendit, si edhe duke penguar përmbushjen e funksioneve të tij.
Sipas deputetëve socialistë veprimet e kolegëve të opozitës janë në shkelje të hapur të detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare.
Ndërkaq pas kësaj kërkese kryeparlamentarja ka vendosur mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën nesër në orën 15.00, për shqyrtimin e kësaj kërkese.
gijotina.com/
Burimi