“SPAK po amniston Veliajn”, çfarë ndodhi në protestën e 18-të para bashkisë (Video)

“SPAK po amniston Veliajn”, çfarë ndodhi në protestën e 18-të para bashkisë (Video)

Opozita zhvilloi këtë të enjte protestën e 18-të para Bashkisë së Tiranës, që pas arrestimit të drejtorëve të Erion Veliajt për aferën “5D”.
Protesta që zgjati gati një orë u zhvillua e ngjashme me tubimet paraardhëse. Në disa momente protestuesit gjuajtën me vezë në drejtim të bashkisë së Tiranës.
Gjatë fjalës së mbajtur në podiumin e protestës, folësit hodhën akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme se po amniston kryenbashkiakun Erion Veliaj për aferën “5D” dhe atë të inceneratorit të Tiranës.
Kreu i këshilltarëve opozitarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti tha se, ata nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit.
“Ne do të qëndrojmë dhe nuk trembemi. Tirana dhe Shqipëria e di se kush ka abuzuar dhe kush ka vjedhur taksat e Tiranës. Ndaj Veliaj dhe ekipi i tij do mbajnë përgjegjësi. Ajo që më habit është fakti se si ky njeri nuk tërhiqet nga vjedhjet. Se si ky njeri nuk tërhiqet nga abuzimet, por vazhdon dita ditës të vjedhë paratë e Tiranës. Dhe kjo duhet të marrë fund një orë e më parë. Sepse këto zyra nuk kanë vend për njerëzit që shkelin ligjin”, tha Teliti.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi SPAK-un një “organizatë kriminale”.
“Ne nuk jemi popull skllevër. Ne kemi hedhur në det perandori. Ne kemi larguar pushtues më të egër dhe këta e dinë se vendi i tyre do të jetë aty ku e meritojnë”, tha Blushi.
“Kush ka shpresë tek një organizatë kriminale si SPAK që do të bëjë drejtësi, e ka gabim. Ata janë partnerë në krim bashkë me McGonigalët e tyre. Po të kishte drejtësi, Erion Veliaj do të ishte në burg“, shtoi ai.
Belind Këlliçi nga PD tha se, kjo protestë është e paprecedentë.
“Të nderuar qytetarë, vini dhe protestoni përpara tashmë para asaj që çdo qytetar tashme e di që është selia e grupit të strukturuar kriminal 5D dhe të incenaratorit Tiranë”, tha ai.
“Kemi bërë publike atë çfarë ka kërkuar Gjykata e Apelit të Posaçëm për t’u ardhur në ndihme kolegëve të Erionit në SPAK dhe kolegët e Erion Veliajt kanë vendosur të amnistojnë bandën e inceneratorit të Tiranës dhe bandën 5D”, u shpreh ai.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Adriana Kalaja nga Aleanca për Mbrojtjes e Teatrit. “Kjo drejtësia e re që është më e keqe se ajo e vjetra fare, ka filluar e amniston dita-ditës, krimin, korrupsionin, shkatërrimin e Tiranës dhe të Shqipërisë. Belindi e përmendi shumë qartë: Të gjitha rrugët e krimit dhe korrupsionit të çojnë te Erion Veliaj. Por këtë nuk e sheh dot, kolegu i Erion Veliajt, Altin Du(sh)mani dhe prandaj them se të dy Dumanët dhe dushmanët,  ai i krimit dhe tjetri që mbulon krimin, i shërbejnë vetëm mafies në pushtet”, tha ajo.
Klevis Balliu nga PD tha se Veliaj “do të marrë atë që meriton një më një dhe po s’ta dha Dumani, ta japim ne”.
“Jemi të rrethuar nga hajdutët! Hajdutë në bashki, hajdutë në ministri, hajdutë në qeveri, hajdutë në parlament! Veliaj, mashtruesi që shpiku Griseldën, mashtruesi që bashkëpunon me Ndraghetën, që është shërbëtori i saj numër 1, pastrues i parave të drogës, vetëm një mesazh i themi: “Kunetërit e tu nuk të mbrojnë dot, jep dorëheqjen! Mos na detyro të të kapim prej leckash e të flakim në rrugë”, shtoi ai.
Silva Caka nga Partia e Lirisë tha se Veliaj është modeli më i shëmtuar i politik bërjes.
“Ta spastrojmë qytetin nga kjo vemje, nga modeli më i shëmtuar i politikëbërjes. Herën e fundit ka ardhur në mbledhje me antiplumb. Një mesazh për Veliajn: nuk je burrë ti të ikësh me plumb, nuk harxhon kush plumba për ty. Ti do ikësh si vemje ashtu siç erdhe në politikë. Nga plumbi ruju nga ata që i ke të sojit tënd,” tha Caka.
Burimi