SPAK i sekuestron disa pasuri e llogari bankare Ilir Beqajt, gruas dhe bashkëpunëtorëve të tij

SPAK i sekuestron disa pasuri e llogari bankare Ilir Beqajt, gruas dhe bashkëpunëtorëve të tij

Me urdhër të SPAK, GJKKO ka sekuestruar llogari bankare të Ilir Beqajt dhe personave të tjerë në hetim, për abuzime me fondet e BE.
Me anë të një njoftimi, SPAK thotë se është vendosur sekuestro preventive për shumat e parave  14 323 125 (katërmbëdhjetë milion e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë; 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;  42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD.
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim Gazment Haxhia, Elton Marini, Ilir Beqaj, Ermal Kurtula Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe shoqërive tregtare të personave nën hetim
Po ashtu u vendos sekuestrio preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal nr. 190, të vitit 2023, lidhur me veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/ apo në vlerën ekuivalente të tyre.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:
1. 14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
2. 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
3. 42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka; dhe shoqërive tregtare të personave nën hetim
4. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
5. Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim Ermal Kurtulaj dhe Elton Marini.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.
Burimi