Socialistët injoruan Gjykatën Kushtetuese për Xhaçkën, delegacioni i BE: Një hap jo në drejtimin e duhur

Socialistët injoruan Gjykatën Kushtetuese për Xhaçkën, delegacioni i BE: Një hap jo në drejtimin e duhur

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë e quan “një hap jo në drejtimin e duhur” vendimin e mazhorancës socialiste që refuzoi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së për mediat.
Në seancën plenare të së Enjtes mazhoranca socialiste rrëzoi sërish një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyronte Kuvendin të dërgonte për interpretim mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ndaj së cilës ka dyshime se ka shkelur Kushtetutën pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik”.
Vendimarrja e socialistëve u paralajmërua disa ditë më parë, në një deklaratë për mediat nga kreu i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi.
Burimi