Socialistët injorojnë Gjykatën Kushtetuese, mbrojnë përsëri me votë Olta Xhaçkën

Socialistët injorojnë Gjykatën Kushtetuese, mbrojnë përsëri me votë Olta Xhaçkën

Maxhoranca socialiste mbrojti përsëri me votë kolegen Olta Xhaçka duke mos miratuar mocionin e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për papajtueshmëri mandati.
Në momentin e votimit, 25 deputetë demokratë votuan pro, ndërsa 9 socialistë kundër. 65 të tjerë shtypen butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim.
Elisa Spiropali u mundua të shfajësonte veprimin e maxhorancës duke u shprehur se kUvendi ka ndjekur të gjithë procedurën kushtetuese dhe përballë kësaj situate, u shpreh se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion ligjor, një veprim të cilin socialistët e kishin paralajmëruar muaj më parë.
“Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Spiropali.
Ky vendim i mazhorancës acaroi opozitën, e cila përplasi tavolinat ndërsa e cilësoi një turp vendimin e socialistëve për të mos zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese.
Me këtë votim të sotëm, Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve.
Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu.
Në votim nuk mori pjesë kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.
Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.

 
Burimi