Skandali i “Onkologjikut”, PD kërkon dorëheqjen, Koçiu: Hipokrizi nga ana juaj, faji nuk mund të përgjithësohet
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, gjatë fjalës së saj në Kuvend iu përgjigj kërkesës së opozitës për të dhënë dorëheqjen pas skandalit tek Onkologjiku.
Ministrja theksoi se opozita po e përdor politikisht këtë çështje sensitive, duke treguar hipokrizi ndaj qytetarëve.
“Ju jeni në të drejtën tuaj që të përdorni në kapitalin tuaj politik jo vetëm shëndetin por edhe vdekjen, por kjo është një ccështje zgjedhjeje. Nder nuk iu bën dhe asgjë nuk do të arrini sepse jeni qartësisht të lexueshëm në hipokrizinë tuaj për t’i qarë hallin qytetarëve”, tha ajo.
Nga ana tjetër, ajo theksoi se përgjegjësia ka fytyrë dhe emër dhe nuk ka vend për përgjithësime.
“Në këtë qeverisje faji ka emër, fytyrë e jo përgjithësime. Ne kemi vendosur një standard i cili është i vetmi që aplikohet dhe është i barabartë e i njëjtë për të gjithë, kushdo që provohet fajtor nuk ka më punë me këtë qeveri e as me familjen politike. Ky standard vlen edhe për mjekët e vendosur nën akuzë, secili prej tyre duhet të përgjigjet për çdo veprim të kryer”, theksoi ajo.
Koçiu theksoi se inkurajon organet e drejtësisë që të hetojë deri në fund këtë çështje, duke vënë para përgjegjësisë çdokënd që ka shkelur ligjin. Megjithatë, ajo theksoi se ky rast nuk duhet të përgjithësojë të gjithë bluzat e bardha.
Burimi