Sinusi pilonidal ose kisti i mbushur nga prania e qimeve të rrënjosura
Ekzistojnë disa terma teknikë më të komplikuar lidhur me këtë gjendje siç janë kisti pilonidal apo fistula sakrokoksigeale, por në fakt gjerësisht njihet nën termin “qime të rrënjosura”.
Kjo gjendje përfaqëson formimin e një kisti ose inflamacioni të kufizuar purulent (absces/qelb) të lokalizuar në palosjen gluteale. Tek disa pacientë mund të shfaqet vetëm një kist, ndërsa tek disa të tjerë zhvillohet një trajektore fistuloze. Në shumicën e rasteve, në sipërfaqen e lëkurës krijohet një hapje përmes së cilës kullohet përmbajtja purulente.
Kjo gjendje u përshkrua për herë të parë nga Hodges në 1880, dhe disa vite më vonë Herbert Mayo e përshkroi të njëjtën gjendje si një “kist të mbushur me qime”.
Ky problem është kryesisht tipik tek meshkujt. Një frekuencë më e lartë e këtij problemi është vërejtur tek ushtarët. Në Luftën e Dytë Botërore, është vërejtur shpesh edhe tek drejtuesit e automjeteve fuoristradë dhe automjeteve të rënda luftarake, prandaj kjo gjendje quhej edhe jeep disease – sëmundja e xhipit.
Epidemiologjia
Incidenca e kësaj sëmundjeje konsiderohet të jetë 26:100,000 njerëz. Në 50 vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të të prekurve, për të cilët si faktor rreziku është evidentuar përdorimi më i madh i mjeteve motorike, si dhe përdorimi i kompjuterit. Një mënyrë jetese e tillë çon në një mënyrë jetese sedentare (të ulur) për të gjithë popullatën.
Përsa i përket përhapjes së këtij problemi, sëmundja është më e pranishme tek meshkujt se tek femrat dhe raporti është 4:1.
Përveç arsyes që ka të bëj me stilin e jetesës, incidenca është më e lartë tek meshkujt për shkak të djersitjes më të madhe dhe pranisë së qimeve në zonën intergluteale. Për sa i përket moshës, kjo sëmundje zakonisht shfaqet tek njerëzit në dekadën e dytë dhe të tretë të jetës.
Etiologjia
Shkaku i saktë që çon në shfaqjen e sinusit pilonidal është ende i panjohur, megjithatë ekzistojnë disa teori që shpjegojnë shfaqjen e tij. Teoritë ndahen kryesisht në dy lloje: rezultat i faktorëve gjenetikë dhe teoria e shfaqjes nën ndikimin e faktorëve të rrezikut.
Teoria e predispozicionit gjenetik tregon se sinusi pilonidal është një anomali e lindur e lëkurës në zonën e sipërme të vitheve, e cila ndoshta ndodh për shkak të një mbetjeje embrionale të notokordeve primitive në lëkurën e kësaj zone. Më vonë në jetë, kjo ndikon në grumbullimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe fibrave të lëkurës, gjë që më pas shkakton shfaqjen e një procesi inflamator që pasohet me formimin e një grumbullimi purulent.
Teoria që tregon shfaqjen e sinusit pilonidal nën ndikimin e faktorëve të rrezikut përfshin:
Djersitjen e tepërt në zonën gluteale
Mbipeshën – obezitetin
Prirjen familjare
Përkatësinë e gjinisë mashkullore
Profesionin e lidhur me uljen e zgjatur
Çarjen e thellë apo lëndimin në zonën intergluteale
Praninë e qimeve të shumta (të trasha dhe të ashpra)
Higjienën e dobët në trup
Pamja klinike e sinusit pilonidal
Tek një pjesë e pacientëve, pamja klinike e sinusit pilonidal mund të jetë pa praninë e ndonjë shenje apo simptome. Ndërsa ka nga ata që përjetojnë ndryshime të lëkurës në këtë zonë. Këto ndryshime që ndodhin mund të jenë shumë të dhimbshme, të ndjekura nga një proces inflamator i lëkurës në formën e një kisti nënlëkuror që çahet në periudhën pasuese dhe prej tij derdhet përmbajtje purulente (e qelbëzuar) ose e përgjakshme.
Për shkak të dhimbjes në zonën e shfaqur, pacientët ankohen për vështirësi në ulje dhe pamundësi për të ecur. Pas rupturimit të kistës dhe drenimit të përmbajtjes së tij, ka lehtësim, por është afatshkurtër, sepse pas një periudhe të caktuar përsëritet grumbullimi i përmbajtjes purulente brenda kistit.
Megjithëse sinusi pilonidal është më karakteristik për shfaqjen e tij në zonën e kërbishtit (kryqit), shfaqja e tij është përshkruar gjithashtu edhe në:
Hapësira ndërmjet gishtave
Zonën e sqetullës
Rreth kërthizës
Në zonën intermamare (midis gjinjve)
Zonën gjenitale si te meshkujt ashtu edhe te femrat
Mbetje amputimi (në zonën ku është bërë amputim)
Diagnoza
Diagnoza e sinusit pilonidal vendoset në bazë të anamnezës dhe ekzaminimit klinik të pacientit. Në raste të caktuara, mund të kryhet fistulorrafia – një metodë diagnostike që tregon shtrirjen nënlëkurore të vetë ndryshimit. Gjatë diagnostikimit, meqenëse lëkura në zonën e kërbishtit është në kontakt të ngushtë me rektumin, mund të kërkohet kryerja e ekzaminimit manual dixhital anal.
Përgatitja para operacionit
Në marrëveshje me kirurgun, si për çdo operacion tjetër dhe gjatë trajtimit operativ të sinusit pilonidal, kërkohet përgatitje para operative. Kjo përgatitje përfshin:
Nëse ka përmbajtje purulente, është e detyrueshme të merret një tampon (bris) për analiza mikrobiologjike dhe antibiogram të paktën 7 ditë para trajtimit operativ të planifikuar.
Zbrazje të traktit gastrointestinal me ndihmën e laksativëve.
Përgatitje standarde para operative për kirurgji nën anestezi të përgjithshme.
Trajtimi kirurgjik i sinusit pilonidal
Trajtimi kirurgjik i qimeve të rritura nën lëkurë mund të kryhet nën anestezi lokale. Por për komoditet më të madh të pacientit, rekomandohet operacioni nën anestezi të përgjithshme. Pas tualetit (pastrimit) së fushës operative kërkohet një injeksion i tretësirës metilen blu në kanalet fistuloze. Nëse tretësira metilen blu nuk disponohet, mund të administrohet injeksion me jod povidone. Kjo procedurë ka për qëllim lyerjen/ngjyrosjen e indit të ndryshuar (të përflakur), në mënyrë që të shënohet/dallohet nga indi i shëndetshëm.
Pasi të bëhet dallimi, bëhet heqja kirurgjikale e indit të ndryshuar deri në arritjen e indit të shëndetshëm makroskopik (të dukshëm për syrin). Në këtë mënyrë shmanget mbetja e indit të ndryshuar, pra shmanget përsëritja e sinusit pilonidal. Indi i ndryshuar që është hequr duhet të ekzaminohet nga një patolog për të vendosur një diagnozë përfundimtare patohistologjike.
Trajtimi postoperativ
Pas trajtimit kirurgjik, pacientët qëndrojnë në spital për të paktën një ditë. Në varësi të pamjes klinike dhe gjendjes së plagës postoperative, pacienti mund të ketë nevojë të vazhdojë trajtimin spitalor për disa ditë. Zakonisht, pas operacionit, pacienti qëndron në spital edhe për dy ditë të tjera.
Në periudhën pas operacionit, për të parandaluar dëmtimin mekanik nga qepja kirurgjikale, pacienti duhet të shtrihet në bark për 48 orët e para. Në ditën e parë pas operacionit shmanget marrja e ushqimit, për të shmangur nevojën për zbrazje, e cila mund të çojë në shfaqjen e komplikimeve postoperative. Pacienti këshillohet që gjatë ditës pas kryerjes së vetë operacionit të shmangë lëvizjet/ecjen dhe të ndalohet rreptësisht qëndrimi ulur me këmbë të hapura (në mënyrë të relaksuar). Në ditën e parë pas operacionit bëhet fashimi i plagës për të vlerësuar gjendjen e saj postoperative.
Në periudhën në vijim, pas daljes nga spitali, kirurgu jep udhëzime për trajtim të mëtejshëm në shtëpi për mjekimin e plagës kirurgjikale si dhe këshillave higjienike dhe dietike. Pas trajtimit kirurgjik të sinusit pilonidal, pacienti është i gatshëm t’i kthehet aktivitetit të punës tre javë pas operacionit dhe pas ekzaminimit të detyrueshëm nga vetë kirurgu që ka kryer intervenimin.
Pyetjet më të shpeshta
A ekziston rreziku i kancerit në indin e ndryshuar?
Për sa i përket pamjes klinike dhe vetë karakteristikave klinike, një nga diagnozat diferenciale të sinusit pilonidal është karcinoma skuamoze. Për të vendosur një diagnozë të saktë, kërkohet ekzaminim nga një specialist i cili mund të bëjë dallimin midis sinusit pilonidal dhe karcinomës së qelizave skuamoze bazuar në ekzaminimin klinik.
A ekziston rreziku i përsëritjes së sinusit pilonidal pas trajtimit kirurgjik?
Natyrisht që ekziston mundësia e përsëritjes, prandaj gjatë trajtimit operativ bëhet dallimi i indit gjatë të cilit mund të përcaktohet kufiri i indit të ndryshuar nga ai i shëndetshëm.
A është e mundur të kurohet sinusi pilonidal pa trajtim kirurgjik?
Nëse është një ndryshim fillestar që nuk ka shfaqur kanale nënlëkurore (fistula) dhe është i kufizuar, pa praninë e sekretimit purulent ose të përgjakshëm, duke ndryshuar mënyrën e jetesës, d.m.th. duke ndryshuar zakonet dietike dhe higjienike, është i mundur shërimi pa trajtim kirurgjik. Por në çdo rast kërkohet kryerja e ekzaminimit nga ana e kirurgut plastik./Insajderi
Burimi