Silvinjo iu dorëzua thirrjeve për Brojën dhe Hoxhën! Ja çfarë nuk u pa në Shqipëri-Spanjë
Tifozët shqiptarë mund të quhen me plot gojën si një nga gjërat më të bukura të Europianit “Gjermani 2024”. Edhe pse dje kuqezinjtë u eliminuan pas humbjes kundër Spanjës, atmosfera e krijuar në stadiumin e Dyseldorfit ishte e jashtëzakonshme. “Panorama Sport” ju sjell momentet më të veçanta të ndeshjes.
* Kombëtarja e Spanjës erdhi e para në stadiumin e Dyseldorfit, ndërsa kuqezinjtë rreth 1 orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes.
* Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, zbriti i pari nga autobusi dhe shkoi i vetëm drejt dhomave të zhveshjes, duke i lënë mbrapa të gjithë. Më pas filluan të dilnim nga autobusi edhe lojtarët. Portieri Strakosha ishte i vetmi pa xhaketë, por me këmishë.
* Moment special u regjistrua para startit të sfidës mes Shqipërisë dhe Spanjës, teksa Silvinjo pati një përqafim miqësor me trajnerin e ibrikëve, De La Fuente. Madje braziliani nuk u mjaftua me kaq, teksa shkoi për të përqafuar të gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit teknik të spanjollëve, duke habitur edhe vetë këta të fundit.
* Stadiumi “Merkur Spiel Arena” ishte pushtuar nga tifozët kuqezi, të cilët ishin rreth 40 mijë në numër, ndërsa spanjollë kishte vetëm 7 mijë.
* Emocionues momenti i ekzekutimit të himnit shqiptar. Thuajse i gjithë stadiumi i veshur kuqezi këndoi himnin kombëtar, ndërsa nga sektori i “Tifozëve Kuq e Zi”, u shpalos një banderolë e madhe ku në gjuhën angleze shkruhej: “Stronger together” (Së bashku më të fortë).
* E gjithë pjesa e tribunës përballe ishte mbushur me flamuj kuqezi. * Protestë nga tifozët në një moment kur Manaj pretendon për penallti. Pati madje një lumë gotash plastike që hodhën në fushë këtë moment.
* “Fli është më e mirë sesa ‘Paela’…” Kështu shkruante banderola e një tifozi shqiptar, duke iu referuar tavës karakteristike të spanjollëve. Pati edhe banderola të tjera ironizuese për spanjollët, duke iu referuar fasuleve shqiptare: “Grosh dhe Paela”…
* “Spanjë të duam, por na nevojiten 3 pikët. Të lutem Spanjë, njihe pavarësinë e Kosovës, nuk do të humbësh asgjë. Përkundrazi, do të fitosh një mik të vërtetë. Respekt!”. Ishte kjo një tjetër banderolë pikante e shpalosur në tribunat e stadiumit nga tifozët kuqezi. Kujtojmë që Spanja është një prej shteteve që nuk e njeh Kosovën.
* Talenti i Spanjës, Jamal, gjatë nxehjes po shkonte për në dhomat e zhveshjes dhe në ato momente hapet sistemi i vaditjes së fushës. Mirëpo, me një lëvizje “rrufe”, talenti i shmanget ujit.
* Pasi Spanja kaloi në avantazh, Muçi, Seferi dhe Broja dolën të parët në nxehmje.
* Rojeve të sigurisë nuk u lejohet të përdorin telefon, kështu që një prej tyre kishte gjetur një mënyrë kamuflimi, duke futur duart poshtë jelekut dallues dhe përdorur celularin.
* Strakosha-Raja ishte edhe një duel shokësh. Portieri i Shqipërisë dhe ai i Spanjës, të dy kanë qenë pjesë e Brentfordit në Angli gjatë sezonit e kaluar.
* Pas përfundimit të pjesës së parë, Klaus Gjasula nga stoli u jep zemër lojtarëve dhe i takon një për një kur po hynin në dhomat e zhveshjes.
* Tifozët shqiptarë tregohen bujarë dhe shumë miqësorë me rojet e sigurisë. Dhuratat që rojet pranonin ishin çamçakëzët.
* Për disa minuta në një pjesë të mirë të stadiumit mbante erë peshk, kjo edhe për faktin se gatuhej në disa restorante që janë brenda impiantit.
* Në minutën e 56-të tifozët kuqezi bërtisnin “Broja, Broja”. Silvinjo e aktivizon menjëherë sulmuesin. E njëjta gjë ndodh më pas me Arbër Hoxhën, emri i të cilit thirret në kor dhe trajneri i Shqipërisë e aktivizon gjithashtu.
* Kur kishin mbetur për t’u luajtur edhe 20 minuta, trajneri kuqezi pyet Asllanin nëse vazhdon dot dhe mesfushori i konfirmon: “Po”.
* Nedim Bajrami u pa i nervozuar pas zëvendësimit.
Burimi