Shorti nxjerr një kandidat për KLGJ, gara për KLP futet në ngërç

Shorti nxjerr një kandidat për KLGJ, gara për KLP futet në ngërç

Nënkomisioni i Posaçëm i Ligjeve për përzgjedhjen e kandidatëve në organet drejtuese të drejtësisë dështoi sërish të gjente konsensus për emrat që do t’i dërgohen për të votuar Kuvendit për dy vende vakante në KLGJ e KLP duke ia lënë në dorë shortit.
Në garë ishin vetëm dy emra për dy vende vakante, Erjon Fejzulla dhe Violanda Theodhori për një vedn në KLGj, ndërsa për KLP-në vetëm Fejzulla.
Hedhja e shortit për KLGJ-në nxori Fejzullën si kandidat duke futur në ngërç shortin dhe garën për KLP-në e cila mbeti pa kandidat dhe në pamundësi për të kryer procedurën e shortit.
Deputetët e mazhorancës kërkuan konsensus nga opozita që të mos shkonin në short, por ata refuzuan duke ia vënë fajin sjelljes së mazhorancës për ngërçin e krijuar me skualifikimin nga gara të kandidatëve të tjerë gjatë fazës së parë të përzgjedhjes.
“Nëse ka konsensus për të mos ia lënë rastësisë, pasi në rastin konkret rrezikojmë që gara në KLP të ketë vetëm një emër”- pyeti Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka kolegët e opozitës para hedhjes së shortit.
Por, deputeti i PD-së Gazment Bardhi, kërkoi vijimin e procedurës së shortit edhe pse e kontestoi si antikueshtetuese situatën e krijuar me garën.
“Ne e kemi paralajmëruar këtë gjë që kur ju vendosët të mbështesnit shortimin e listës nga Sekretari i Përgjithshëm”- ua tha ai kolegëve socialistë, duke iu referuar skualifikimit të 4 kandidatëve të tjera nga lista të cilët kishin kaluar verifikimin formal ligjor të kritereve nga një komision i pavarur i ngritur nga Avokati i Popullit.
Sipas Bardhit, skualifikimet janë kryer në kundërshtim me ligjin duke vënë në pikëpyetje gjithë procesin.
Në replikë me Bardhin, Bushka theksoi se PS kishte zbatuar të njëjtin standard të ndjekur në proceset e mëparshme të përzgjedhjes së kandidatëve për këto organe.
Opozita gjithashtu refuzoi një propozim të deputetit socialist Damian Gjiknuri për rihapjen e procesit nga fillimi për shkak të pamundësisë së garës.
“Gara ka rënë, më mirë të kthejmë procedurën ose t’i japim mundësinë një gare të hapur me shumë kandidatë”- tha ai.
Por, deputetja e PD-së Dhurata Çupi replikoi duke akuzuar Gjiknurin se po kërkonte të mbante peng zëvendësimin e anëtarëve të cilëve u ka përfunduar mandati që para një vit edhe për një vit tjetër. “Nëse doni ta ktheni procedurën kjo është tallje dhe kapje e sistemit”- akuzoi ajo socialistët.
Procedura e plotësimit të vakancave në dy këshillat u hap në korrik të vitit të shkuar, dhe vetëm në korrik të këtij viti Kuvendi arriti të zgjedhë me short 4 anëtarë nga radhët e avokatëve për dy këshillat.
Ndërsa gara për 2 anëtarë të tjerë nga radhët e shoqërisë civile u fut në ngërç për shkak të numrit të pakët të kandidatëve të kualifikuar nga nënkomisioni i posaçëm.
Nga kjo garë në KLGJ pritet të zëvendësohet kryetarja e këshillit Naureda Llagami, e cila qëndron në detyrë, ndërsa anëtari i ri në KLP do të zërë vendin vakant të lënë nga Alfred Balla, i larguar nga procesi i vetingut.
/Reporter.al/
Burimi