Shorti/ Ja përbërja e KED për vitin 2025
Në Presidencë, u hodh këtë të hënë shorti për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025.
Kryetari i Këshillit të Emërimeve për vitin 2025 është Sokol Sadushi dhe anëtari zëvendësues Medi Bici.
Anëtarët e zgjedhur me short janë:
Anëtarë nga Kushtetuesja: Marjana Semini dhe Ilir Toska, zëvendësues Marsida Xhaferllari
Anëtar nga Gjykata e Lartë: Sokol Sadushi, njëkohësisht edhe kryetar i këshillit, zëvendësues do jetë Medi Bici.
Anëtarë nga Prokuroria e Përgjithshme: Alma Muça, zëvendësues Thoma Jano
Anëtarë nga Gjykata e Apelit: Fuat Vjerdha dhe Enkela Vlora, zëvendësuese Elvana Çiçolli.
Anëtarë nga Prokuroria e Apelit: Irma Balli e Etjen Kapo, zëvendësues Genti Xholi.
Anëtar nga Gjykata Administrative: Nafije Hasko, zëvendësues Bezart Kaçkini.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtar me një mandat 1 vjeçar, dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Të pranishëm në proces ishin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.
Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik.
Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e ne vojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i ri kushtetues, kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi. Ai mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme.
Organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tri vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli.
Në rastin kur këto organe të emërtesës nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Burimi