Salianji nis betejën ligjore, kërkesë në Gjykatën e Lartë për pezullim të vendimit dhe kallëzim për Fatmir Xhafën
Një ditë me parë ekipi ligjor i Ervin Salianjit ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit te Gjykatës së Apelit për shkak të pasojave shumë të rënda që, sipas tyre, sjell për deputetin, siç është ndërprerja e mandatit aktual dhe pamundësia e kandidimit në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Paralelisht me këtë kërkesë, avokatët kanë përgatitur edhe shkresën për pezullim në Gjykatën e Lartë, e cila do të dorëzohet së bashku me rekursin sapo të zbardhet vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit të Tiranës, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të dënohet me 1 vit burg për veprën kallëzim i rremë, ndonëse vetë Salianji nuk pati bërë asnjëherë një kallëzim te tillë.
Ligji parashikon dënimin me gjobë ose burg për kallëzim të rremë, por nuk parashikon burg për kallëzim publik, siç është rasti i deputetit të Partisë Demokratike.
Salianji vërtet ka artikuluar akuza të forta publike ndaj Fatmir Xhafajt gjatë kohës që ky ishte Ministër i Brendshëm, por ai nuk i është drejtuar asnjë autoriteti shtetëror me asnjë një kallëzim. Nuk ka asnjë dokument të firmosur prej tij, të dorëzuar ndaj një oficeri të policisë gjyqësore apo ndaj një prokurori për këtë çështje.
“Faji” i tij qëndron thjesht në faktin se doli në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, ku denoncoi për trafik droge, vëllain e Fatmir Xhafës, dhe ky i fundit nuk harroi të hakmerrej.
Gjithashtu, të hënën, sikurse paralajmëroi edhe vetë Salianji, pritet të depozitohet në SPAK një kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Burimi