“Salianji denoncoi narkotrafikun”/ Gjekmarkaj: “Në 7 tetor, protesta në Tiranë”; Çupi: Këto skena, çdo të enjte
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj u shpreh para mediave se opozita nuk do të dorëzojë pluralizmin dhe të drejtat e fituara në dhjetor të vitit 1990. Pas tensioneve të krijuara në Parlament vetëm pak momente më parë, Gjekmarkaj tha se ditën e hënë, në 7 tetor, shqiptarët do të jenë në rrugët e Tiranës për të mbrojtur demokracinë.
“Nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë liritë e fituara në dhjetor 1990. Nuk e dorëzojmë pluralizmin, nuk e pranojmë planin ogurzi të shpërbërjes së opozitës. Salianji i bëri një shërbim publik vendit duke denoncuar narkotrafikun, Nuk bëjmë asnjë koncesion me standardet që kemi fituar. Ditën e hënë do të jemi në rrugët e Tiranës për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë”, u shpreh ai.
Deputeti i PD Dashnor Sula, në fjalën e tij pas mbarimit të seancës parlamentare të sotme, tha se Rama e Xhafaj janë hakmarrë personalisht, duke dënuar Ervin Salianjin.
Sula theksoi se shqiptarët nuk do të bëhen palë me regjimin e ata do të protestojnë, duke kërkuar lirinë dhe demokracinë e shumëdëshiruar.
“Ervin Salianji është i burgosur politik. Kanë bërë hakmarrje primitive e personale, duke nisur nga Rama e Xhafaj. Ndryshimi i Salianjit nga PS është se ato për zonjën Xhaçka nuk ekzekutuan vendimin, ndërsa Ervin Salianji po vuan dënimin në burgun e Fierit, pavarësisht se vendimi është i një regjimi.
Ndrsa deputetja e PD, Dhurata Çupi paralajmëroi se skenat që ndodhën sot në Parlament do të jenë prezentë në çdo seancë nga sot e tutje.
Sipas saj ajo që ndodhi sot ne Parlament ka ardhur si përgjigje e opozitës kundrejt kryeministrit Edi Rama, i cili sipas saj “ka djegur Kushtetutën dhe ka shitur Shqipërinë”.
“Këto pamje i ka detyruar Edi Rama, i cili ka djegur Kushteutën, ka shitur Shqipërinë. Nuk ka asnjë lloj normaliteti me Edi Ramën kryeministër. Do të na ketë përballë, këtë pamje do ta shikoni çdo të hënë dhe çdo të enjte”, u shpreh ajo.
gijotina.com/
Burimi