Rama me Presidentin e Izraelit: Shqipëria mbështetëse e madhe e armëpushimit
Kryeministri Edi Rama, priti këtë të enjte në një takim zyrtar, Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp nga Kryeministria, Rama theksoi mbështetjen ndaj Izraelit dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Shefi i qeverisë e cilësoi situatën në Gaza si absolutisht shumë të rëndë dhe theksoi se Shqipëria mbështet armëpushimin dhe çdo përpjekje për të rikthyer pengjet izraelitë. Kryeministri tha se shpreson që shumë shpejt lufta të përfundojë dhe Izraeli të jetë më i fortë, në një rajon më të paqtë.
“Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Shqipëria u bë një vend ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë nuk largoheshin nga vendi por vinin për të gjetur një strehë. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi në mënyrë të palëkundur kundër çdo lloj formë antisemitizmi. Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo që po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Lufta kundër terrorit është shumë më e vështirë se çfarë mund të duket nga larg. Shqipëria është një mbështetëse e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekjeje për të sjellë në shtëpi pengjet. Jam shumë i prirur të theksoj se ndërkohë që këto janë shumë kohë të vështira për popullin e Izraelit dhe popujt që jetojnë në atë territor, e ardhmja do të jetë me Izraelin më të fortë në një rajon më të paqtë”, tha Rama.
Rama shtoi se Shqipëria do të mirëpresë çdo izraelit që do të vendos të vizitojë Shqipërinë apo që do të zgjedh vendin tonë për të jetuar. Gjitashtu Rama tha se do të bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se në të ardhmen do ketë edhe më shumë bashkëpunime.
“Jemi krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë qofshin, turistë, artistë, shkrimtar, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë, apo ata në moshë të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në zemër të Evropës me një natyrë të rrethuar nga dete e lumenjë. Një natyrë ku gjen gjithçka brenda një hapësire shumë të vogël, si Shqipëria. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu zhvilluar me shpejtësi, prirjet janë mjaft inkurajuese dhe është afërmendsh se mund të bëjmë shumë më tepër. Jam shumë i lumtur që më së fundmi kam këtu presidentin, jo vetëm si president i Izraelit, por si një mik i vjetër. Është një kënaqësi e vërtetë të mund të ulesh me të e të bisedosh me të”,-tha Rama.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog falënderoi Shqipërinë për mbështetjen në përpjekjen e vendit të tij për të sjellë paqe me Palestinën.
“Për mua është shumë domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po bëhet 1 vit që kur mijëra terroristë ndërhynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelitë dhe të huaj në Gaza. Qysh prej asaj dite të errët Shqipëria është renditur në mënyrë të palëkundur në anën e duhur të historisë.
Vendi juaj ka treguar që qëndron në krah të popullit izraelit në kohën që luftojmë të mbrojmë popullin dhe kufirin tonë dhe për të sjellë paqe mes nesh dhe palestinezëve. Keni qëndruar krah nesh në këto kohë të vështirë. Për fat të keq puna jonë nuk ka mbaruar, pengjet ende mbahen në mënyrë mizore në Gaza, në një shkelje të madhe të normave humanitare dhe ndërkombëtare.
Kështu që duhet bërë gjithçka për t’i sjellë në shtëpi. Për fat të keq po luftojmë në të njëjtën kohë me më shumë se një armik terrorist; është Irani dhe fiksimi i tij mizor antisemit me shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Por marrëdhëniet tona nuk fillojnë e mbarojnë aty, shqiptarët dhe hebrenjtë kanë një histori të madhe, hebrenjtë gjetën vend gjatë holokaustit në Shqipëri. Jam i kënaqur që jemi këtu dhe me një rritje të konsiderueshme të lidhjes sonë në shumë forma të jetës”, tha presidenti izraelit.
Burimi