Radio Europa e Lirë pasqyron protestën kombëtare të opozitës

Radio Europa e Lirë pasqyron protestën kombëtare të opozitës

Simpatizantë të partisë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike (PD), kanë hedhur molotov në drejtim të objektit të Kryeministrisë dhe disa objekteve tjera, në protestën e së hënës, teksa kundërshtojnë burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Ai është burgosur në lidhje me akuzën “kallëzim i rremë”.
Partia Demokratike e ka cilësuar protestën si fillim i mosbindjes civile dhe vendimin për deputetin e konsideron si politik.

Policia, përmes megafonit, ka bërë thirrje që të mos kryhen akte dhune dhe të mos rrezikohet jeta e efektivëve të policisë.
Pas ndërtesës së Kryeministrit, protestuesit kanë hedhur molotov edhe para selisë së Partisë Socialiste, që është aktualisht në pushtet.
Gjatë rrugës i është vënë flaka një stoli në një prej stacioneve të autobusëve dhe një kazani plehrash.
Motolov është hedhur edhe drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës.
Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.
Në nisje të protestës, disa të rinj janë parë duke mbajtur në duar parullën, “Bëjeni Shqipërinë të lirë sërish” [Make Albania Free Again].
Në gjendje gatishmërie janë automjete zjarrfikëse dhe autobote me ujë.
Policia rrugore ka ndaluar qarkullimin e makinave në rreth 15 segmente rrugore që lidhen me qendrën e qytetit.
Opozita ka kryer disa aksione prej marrjes së vendimit nga Gjykata, përfshirë djegien e karrigeve para Kuvendit dhe katër manekinëve, dy prej të cilëve kanë qenë me imazhet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-ministrit, Fatmir Xhafaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë në fjalimin e tij të fundit – të mbajtur nga arresti shtëpiak – se çdo demokrat është i betuar për çdo sakrificë.
“Demokratët nisin revoltën e tyre, zemërimin e tyre. Nga 7 tetori dhe deri në triumfin tonë nuk ka forcë në botë që të na mposhtë”, ka thënë Berisha.
Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, ka kërkuar katër orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00, para ndërtesës së Kryeministrisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që janë parë në dy aksionet paraprake të opozitës, dhe kanë bërë thirrje për dialog./REL
Burimi