Qeveria po krijon ministri për shkencën, ua merr të drejtën universiteteve
Qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë ku parashikohet riorganzimi i sistemit dhe kërkimit shkencor në vend. Në relacionin e depozituar në Kuvend, planifikohet lindja e një ministrie të posaçme, e cila do jetë përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor.
Sipas relacionit të depozituar në Kuvend në korrik të këtij viti, ministri ka kompetenca në hartimin e politikave në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, ndërsa nga ana tjetër propozon modelin e financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor.
‘Neni 8 parashikon rolin e ministrisë. Ministria është institucioni përgjegjës që harton, drejton, koordinon dhe realizon politikat e programit qeverisës në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor.
Ministria vlerëson veprimtarinë kërkimore të institucioneve të kërkimit shkencor, financuar me fonde publike, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe administron Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë, në përputhje me këtë ligj. Ministri ka këto kompetenca:
a) Harton politika në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, si dhe i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e strategjisë në këtë fushë;
b) Harton dhe propozon në Këshillin e Ministrave fushat dhe nënfushat prioritare të kërkimit shkencor;
c) Propozon në Këshillin e Ministrave modelin e financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera, ligjore e nënligjore në fuqi;
ç) Harton dhe propozon për miratim pranë Këshillit të Ministrave Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor të harmonizuar me Kodin Evropian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.’, thuhet në relacion.
Sakaq, parashikohet dhe krijimi i një organi këshillimor pranë Kryeministrit në emrin Këshilli Kombëtar për shkencën dhe kërkimin shkencor. Në përbërje të këtij Këshilli do të jenë Kryeministri dhe 19 anëtarë, ku përfshihen ministra dhe përfaqësues të arsimit të lartë dhe akademisë së shkencave.
‘Neni 9 parashikon ngritjen e Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i cili është një organ kolegjial këshillimor i ngritur pranë Kryeministrit, që ka për detyrë të përmirësojë veprimtarinë kërkimore-shkencore në vend, duke dhënë rekomandime lidhur me të.
Neni 10 parashikon përbërjen e Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që drejtohet nga Kryeministri dhe përbëhet nga 19 anëtarë, si më poshtë:
Ministri përgjegjës për shkencën;
Ministri përgjegjës për inovacionin;
Ministri përgjegjës për energjinë;
Ministri përgjegjës për bujqësinë;
Ministri përgjegjës për shëndetësinë;
Ministri përgjegjës për mbrojtjen;
Ministri përgjegjës për mjedisin;
Katër përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë;
Kryetari dhe tre përfaqësues të Akademisë së Shkencave;
Dy përfaqësuesit e qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore;
Përfaqësuesi i Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit;
Përfaqësuesi i Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.’, vijon më tej relacioni.
Reagon PD
Deputetja demokrate Ina Zhupa, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se projektligji i ri i shkencës, i propozuar nga Qeveria, garanton shkatërrimin e kërkimit shkencor duke e centralizuar dhe kontrolluar nga politika dhe duke e vënë atë në shërbim të qeverisë.
Zhupa shprehet se përmes një projektligji të tillë zhduket çdo autonomi universitare, po zhveshin nga kompetencat profesorët, departamentet, shkollat doktorale dhe po e monopolizojnë te qeveria.
“Ky ligj parashikohet që të futet në diskutim në 14 Tetor në komisionin që une drejtoj, të Edukimit, por tashmë që na kanë përjashtuar pa rregullore, duket se do e kalojnë me shpejtësi pa opozitën, për të shkatërruar edhe lirinë shkencore dhe akademike.
Ju bëj thirrje pedagogëve, akademikëve të lirë, kërkuesve shkencor, drejtuesve të universiteteve publike dhe private të bashkohemi kundër këtij projektligji masakrues për lirinë akademike dhe përcundues të kërkimit shkencor cilësor dhe të pavarur”, shkruan Zhupa.
gijotina.com/
Burimi