PS-PD arrin konsensusin, mandati i Xhaçkës do të shqyrtohet më 12 shtator në Kuvend
Pas zvarritjeve për më shumë se dy vite, socialistët kanë ndryshuar strategjinë për ‘Olta Xhaçkën’, duke dërguar në Kuvend mandatin e saj sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Mes diskutimeve, ligjvënësit socialistë në Këshillin e Legjislacionit kanë pranuar rekomandimet e deputetëve të opozitës, për ta çuar në Kuvend mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka në seancën e datës 11 shtator për ta futur në rend dite.
Ligjvënësit duhet ta shqyrtojnë mandatin e Xhaçkës, brenda 6-muajve nga përfundimi natyror siç parashikohet në Kushtetutë.
Jashtë këtij afati, është e pamundur që ligjvënëses socialiste t’i hiqet mandati.
Edhe pse mes debateve të ashpra mes dy palëve, deputetët e PS janë dakordësuar mbi pikën kryesore që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtohet mocioni mbi mandatin e Olta Xhaçkës, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por ajo që ata kanë kundërshtuar është propozimi i opozitës, lidhur me hartimin e një raporti.
Çupi: Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.
Bushka: Për të ecur me ekzekutimin e Gjykatës Kushtetuese kryetares i propozohet shkurtimisht që ky projekt vendim të përfshihet në seancën plenare më të afërt.
Kryetari i Grupit të PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese dhe shtetin ligjor.
Bardhi: Edi Rama nëpërmjet Olta Xhaçkës, po mbron korrupsionin dhe po i jep mesazh drejtësisë se nuk mund të marrë vendime pa lejen e tij, ndryshe ato nuk zbatohen.
Refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që cenon themelet e shtetit demokratik, humb besimin e publikut te shteti dhe vendos në diskutim edhe vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
Mbrojtja e Olta Xhaçkës dhe sfidimi i drejtësisë, është mesazhi më negativ që mund të jepët për një vend që pretendon të jetë demokratik, vend kandidat për në BE dhe vend anëtar i NATO-s.
Gjykata Kushteteuse e detyron Kuvendi e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë menjëherë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatë.
Pretendimi i mazhirancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan është antikushtetuese. Deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Keni kryer krim. Moszbatimi i një vendimi të GJK është vepër penale.
Burimi