Protesta e opozitës, Policia: Bllokimi i rrugëve vepër penale
Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës në Tiranë, drejtuesit e të cilës e kanë cilësuar si “mosbindje civile”.
Protesta do të nisë nga ora 17:00 deri në orën 20:00 dhe do të zhvillohet në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Policia e Tiranës bën me dije se ka njoftuar Partinë Demokratike, se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.
Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
“Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve”, thuhet në njoftimin e bluve.
Burimi