Protesta e opozitës, Avokati i Popullit apel Policisë: Do monitorojmë çdo akt dhune ndaj protestuesve…
Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me protestën që do të mbahet mbrëmjen e sotme përballë Kryeministrisë.
Në një njoftim për mediat, Avokati i Popullit bën me dije se përmes grupeve në terren do të kryhet monitorimi i protestës.
“Çdo aspekt i shkeljes së të drejtave të njeriut në këtë protestë do të raportohet në përputhje me detyrimet tona ligjore”, thekson Avokati.
Njoftimi i plotë:
Protestat paqësore janë një e drejtë themelore e njeriut dhe një shprehje thelbësore e demokracisë.
Institucioni i Avokati i Popullit bën të ditur se përmes grupeve në terren, do të jetë në monitorim të protestës opozitare që zhvillohet sot në mbrëmje.
Gjithashtu, Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se organet e rendit janë të pranishme në protesta për të siguruar që të garantohet ushtrimi i qetë i të drejtës për të protestuar.
Ndërkohë, veprimet e dhunshme, qofshin ato edhe sporadike, nuk janë zgjidhje, por përshkallëzojnë konfliktin dhe cënojnë të drejtën e protestuesve paqësorë që të ushtrojnë të qetë të drejtën e tyre për të shprehur solidaritetin në lidhje me qëllimin e protestës.
Çdo aspekt i shkeljes së të drejtave të njeriut në këtë protestë do të jetë i monitoruar nga grupet tona në terren dhe do të raportohet në përputhje me detyrimet tona ligjore.
Së bashku, mund të sigurojmë që kjo protestë të zhvillohet në mënyrë të qetë, duke treguar se si një shoqëri demokratike mund të zgjidhë mosmarrëveshjet me dialog dhe respekt të ndërsjellë.
Burimi