Protesta e 7 Tetorit, Berisha: Fjalën do e kenë qytetarët, mjerë kush i provokon
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se skenari për protestën e opozitës të thirrur nga opozita më 7 Tetor, do të zbulohet vetëm në orën 18:00, orari i përcaktuar për nisjen e tubimit.
I pyetur nëse do ketë fjalime në protestë, Berisha u shpreh se “fjalën e kanë qytetarët”, duke u shprehur se “mjerë ai që provokon zemërimin e tyre”.
“Skenarin e saktë të protestës do ta merrni vesh të hënën në orën 18:00. Është konceptuar si një protestë ku qytetarët i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi.
Është kauzë që ia vlen të luftosh e sakrifikosh. Nuk do të heqim dorë prej kauzës sonë.
Kemi mision kryesor qeverinë teknike, është e drejtë që populli opozitar të presë nga opozita mbrojtjen e votës. Një opozitë demokratike nuk merr përsipër mbrojtjen me armë.
Ditën e hënën fjalën e kanë qytetarët, fjalën e kanë politikanët, më falni, e kanë qytetarët, ata janë politikanët, ata janë zotërit e Tiranës.
Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre, ky është mesazhi ime për çdo provokator, narkokomisar, narkopolic, apo narkozyrtar. Besoj kjo ishte përgjigja për ta.
7 tetori do të jetë dita e kthesës së madhe.
Do të jetë radha jonë, radha e qytetarëve.
Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike.
Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë.
Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen.
Pra, ne kërkojmë gjëra themelore që i mungojnë sot shoqërisë dhe popullit shqiptar.
Të gjithë marshim në Tiranë, për të drejtat tona më themelore. Për një qeveri teknike dhe zgjedhje të drejta, kundër dhunës ndaj opozitës dhe arrestimeve politike, kundër vjedhjeve të pashembullta në historinë e vendit nga personalisht Rama dhe klani i tij elektoral, kundër narkoshtetit që ka shndërruar Shqipërinë në protektorat të mafies më të keqe të Evropës.
Kjo protestë është protestë që buron nga idealet dhe ndërgjegjja e çdo qytetari shqiptar.
Është radha jonë, e guximit tonë, e idealeve tona, e fitores sonë. Ju ftoj nga të katër anët e vendit, por edhe vendet tjera, të bashkohemi në Tiranë”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Burimi