Presidenti s’ka dekretuar ndryshimet në qeveri, shtyhet seanca e jashtëzakonshme parlamentare
Seanca e jashtëzakonshme parlamentare që pritej të zhvillohej sot në orën 18:00, ku do të votohej kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe do të kalonin dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ministrat e rinj të qeverisë Rama, është shtyrë për ditën e nesërme.
Deputetët e PS janë njoftuar në mbledhjen e grupit se seanca do të shtyhet për nesër për shkak se Presidenti ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri.
Burime nga Presidenca bëjnë me dije se ndryshimet në qeveri janë në proces verifikimi, ndërsa kryeministri Rama u ka kërkuar deputetëve që të rrinë në gatishmëri për çdo orë kur mund të thirren.
Sakaq, ditën e djeshme kryeministri tregoi nxitim për të dorëzuar personalisht në Presidencë dekretet për ndryshimet e reja në qeveri, pak pas përfundimit të Kongresit të Partisë Socialiste.
Në Kongres, Rama njoftoi ndryshime në kupolën drejtuese të mazhorancës në Kuvend, me Elisa Spiropalin që zëvendëson Lindita Nikollën. Lëvizjet prekën edhe qeverinë, ku më i bujshëm ishte largimi i Taulant Ballës nga detyra si ministër i Brendshëm. Ai do të zëvendësojë Spiropalin duke qenë ministri i ri i Shtetit për Parlamentin. Ndërkohë, tre emra të rinj pa profil politik, marrin drejtimin e Financave, Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme.
Ndryshimet e qeverisë
Kryetar KuvendiIkën Lindita NikollaVjen Elisa Spiropali
Ministria për Marrëdhëniet me ParlamentinIkën Elisa SpiropaliVjen Taulant Balla
Ministria e BrendshmeIkën Taulant BallaVjen Ervin Hoxha (Ish-kreu i IKMT)
Ministria e MbrojtjesIkën Niko PeleshiVjen Pirro Vëngu (Ish-drejtor i Portit të Durrësi)
Ministria e FinancaveIkën Ervin MeteVjen Petrit Malaj (Ish-drejtori i AKBN)
Nënkryetar KuvendiIkën Ermonela FelajVjen Bledi Çuçi
Kreu i grupit të PSIkën Bledi ÇuçiVjen Niko Peleshi
Burimi