Prej çfarë ka frikë? Rama kontrolloi një për një tek dera të gjithë kryebashkiakët para takimit
Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të martë në një takim me dyer të mbyllura në Pallatin e Kongreseve të gjithë kryebashkiakët e majtë dhe drejtuesit politik të qarqeve, ku në fokus ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Por, sipas gazetarit Gjergj Erebara, të gjithë “kolegët” e Ramës që morën pjesë në takim, janë kontrolluar imtësisht fizikisht, para se të futeshin në mbledhje. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Erebara shkruan se kjo flet shumë për klimën e sigurisë publike që kryeministri nuk ndjehet i sigurt as në praninë e kryebashkiakëve që ka zgjedhur vetë.
“Nuk e di a e dini, por të gjithë kolegët e Ramës me të cilët u takua te Pallati i Kongreseve, iu nënshtruan secili një kontrolli të imtësishëm fizik te dera. Flet shumë për klimën e sigurisë publike që kryeministri nuk ndjehet i sigurt as në praninë e kryebashkiakëve që ka zgjedhur vetë.” – shkruan gazetari.
Çfarë e ka frikësuar Ramën prej kryebashkiakëve të tij? A mos ndoshta nga ato çfarë ka thënë në mbledhje, ku në shkelje të ligjit e angazhon të gjithë administratën publike në fushatë elektorale?
Kjo e fundit u konfirmua dhe nga detajet e publikuara në media, sipas të cilave, Rama u ka kërkuar të zgjedhurve vendorë që të caktojnë nga një koordinator në çdo bashki, që ka si për detyrë të identifikojë çdo emigrant në çdo shtet dhe kontaktimin e tyre.
Kjo gjë është tërësisht në shkelje të ligjit, por në një vend me drejtësi të kapur dhe me regji, kryeministri mund të bëjë ç’të dojë për të mbajtur pushtetin.
Burimi