Plagosja në Tiranë, vetëdorëzohet në polici Erjon Goxhara
Është vetëdorëzuar në polici efektivi Erjon Goxhara, i cili plagosi Lorenc Kostën dy ditë me parë në Tiranë, në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën ‘Tish Daija’, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Plagosja
Video më poshtë tregon pamjet e plagosjes me armë të 45-vjeçarit Lorenc Kosta, ngjarje e ndodhur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ditën e hënë (19 Gusht 2024).
Në këto video të kamerave të sigurisë, duket momenti kur 45-vjeçari Kosta ecte në këmbë në trotuar. Aty mbërrin me makinë private punonjësi i policisë, Erjon Goxhara 46 vjeç. Ky shkon drejt Kostës dhe nis ta qëllojë disa herë me pistoletë në drejtim të këmbëve.
Më pas arratiset me shpejtësi.
Ndërsa 45-vjeçari mbeti i plagosur në trotuar. Atij ju ofrua ndihma e parë nga kalimtarë të rastit dhe forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje. Lorenc Kosta u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti mes Kostës dhe punonjësit të policisë ishte personal. Mendohet se shkaqet kanë të bëjnë me dyshime për një lidhje jashtëmartesore.
Policia e Tiranës njoftoi se Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Burimi