PL: Pensionistët janë përjashtuar tërësisht nga përfitimi i rritjes ekonomike
Sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë, Petraq Milo deklaroi sot se qeveria nuk indeksoi pensionistët as në masën 9.4%, që sipas tij, është edhe niveli i rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë.
“Qeveria premtoi se brenda muajit tetor do të rriteshin pensionet në një nivel më të lartë dhe do të përfundonte reforma që do të adresonte problemin e pensioneve në tërësi, por me vendimin e fundit ajo vendosi vetëm indeksimin në masën 4.1%, masë që jo vetëm nuk e zgjidh problemin e akumuluar të mosrritjes dhe indeksimit të plotë të pensioneve nga viti 2013, por nuk adreson as dhe ato zhvillime aktuale”, u shpreh Milo.
Milo tha se qeveria vijon t’i mbajë me premtime pensionistët.
“Qeveria kishte kohen dhe mundësitë financiare që të rriste në mënyrë të plotë pensionet gjatë tre mandateve të qeverisjes por që nuk e ka bërë duke varfëruar me shumë shtresën e mbi 790 mijë pensionistëve“, tha ai.
Milo u shpreh se në vendin tonë pensionistët janë përjashtuar tërësisht nga përfitimi i rritjes ekonomike.
“Pensioni mesatar në Shqipëri është rritur nga 163 euro në 170 euro me rritjen 4.1%, ndërsa pensioni mesatar në Kosovë është rritur nga 310 euro në 350 euro”, tha Milo
Ai bëri të ditur se Partia e Lirisë për vitin 2024 propozoi rritjen e pagave për të gjithë administratën pa diferencime në bazë të indeksit të inflacionit për çmimet e konsumit të vitit 2023, si dhe të përqindjes së rritjes reale ekonomike të vitit 2023 në 3.4%; rritjen e pensioneve të të gjitha kategorive dhe të përfitimeve sociale në bazë të indeksit të inflacionit të artikujve ushqimore të vitit 2023 në 9.4%, si dhe të rritjes ekonomike reale në vitin 2023 në 3.4%.
Burimi