“Pjesëmarrja në Euro 2024, një eksperiencë fantastike”, Presidenti Duka: Është bukur të luash kundër kampionëve
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje live në emision sportiv “Europiani 3D” në Radio Televizionin Shqiptar. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli për rrugëtimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” si edhe për të ardhmen e trajnerit Silvinjo. Gjithashtu Presidenti Duka komentoi edhe disa çështje të tjera dhe shtoi se objektivi i radhës është kualifikimi në Botërorin 2026.
E ardhmja e trajnerit Silvinjo? – Nuk besoj që është e vërtetë se Silvinjo do të shkojë në Portugali. Nuk besoj. Ende nuk kemi bërë një kontratë të re, por këto ditë besoj se do të bëjmë një kontratë të re për dy vitet e ardhshme. Kur firmoset kontrata quhet e mbyllur. Akoma nuk është e mbyllur por jemi drejt fundit.
Europiani i Shqipërisë? – Mbase po të kishim ndonjë skuadër tjetër në grup mund të kishim edhe një rezultat më të mirë. Prap nuk është se jam pishman për grupin që kishim, pasi ishte shumë i bukur. Është vërtetë bukur të luash kundër kampionëve dhe nëse do të rritesh duhet të luash kundër kampionëve, këtë bëri edhe Shqipëria. Në total performanca e ekipit ishte shumë e mirë. Për ne ishte një super sukses që jemi pjesë e një Europiani pasi jemi vetëm për herë të dytë. Zhvilluam tre ndeshje në aspektin sportiv shumë të mirë. Kishte një prezencë shqiptare fantastike në Gjermani në të tre qytetet. Duhet të jemi shumë të lumtur, të kënaqur dhe krenarë që kjo skuadër na bëri pjesë të Europianit dhe uroj që ta përsërisi sërish. Futbolli nuk ka fund asnjëherë. Për ne është arritje shumë e madhe që të jemi pjesë e Europianit dhe të bëjmë një performacë shumë të mirë. Mund të them dy ndeshje e gjysmë të mira, pasi pjesa e parë me Italinë nuk ishte e mirë. Ndërsa pjesa e dytë e mirë, ndeshja me Kroacinë ishte fantastike dhe mbase fati nuk na ndihmoi të thellonim rezultatin. Ndeshja me Spanjën ishte fantastike, mbështetja, festa, kënaqësia e njerëzve ishte shumë e madhe dhe shumë e mirë. Futbollistët, stafi, Silvinjo dhe gjithë të tjerët punuan për t’u kualifikuar. Për mendimin tim kanë punuar shumë mirë. Unë e kam thënë që në fillim të Kampionatit Europian, ne duhet të jemi shumë krenarë që jemi pjesë. Edhe ekipit këtë gjë i kam thënë gjatë qëndrimit në Gjermani.
Tre ndeshjet e Europianit, a mund të merrnim diçka më shumë? – Ne Europianin e kemi fituar ashtu siç edhe ti the me pjesëmarrje, performancën, por ne e kemi fituar edhe me një fakt tjetër që ishim në lojë deri në fund për kualifikimi. Ka ekipe të tjera që ndeshjen e tretë shkuan për turizëm, por ne nuk ishim për turizëm, por luftuam deri në fund. Morëm emocione nga skuadra deri në fund. Unë mendoj që edhe ndaj Italisë mund të merrnim më shumë, nëse do të menaxhonim më mirë pjesë e parë. Nëse rasti i Manajt do të shkonte në rrjetë, ndeshja mund të mbaronte barazim. Ndërsa me Kroacinë në të gjitha këndvështrime përveç atyre 10 minutave që nuk ishin të mira për ekipin tonë, në minutat e tjera ishim superiorë. Krijuam raste në pjesë e parë dhe meritonim që rezultati të shkonte 2-0. Me Spanjën mbase duhet të ishim më shumë agresivë, nuk duhet t’i respektonim si ekip kampion.
Kur do të krijohet një këngë himn për Kombëtaren? – Kënga e Vaçe Zelës ishte shumë e bukur dhe të gjithë këngët e tjera që u kënduan në stadium. Unë mendoj që ekipi Kombëtar duhet të ketë një kengë për çdo edicion, një risi. Në këtë rast ishte kënga e Vaçe Zelës që për mua ishte shumë e bukur. Kur të shkojmë në Botëror padyshim që do të zgjedhim një tjetër nga e gjithë arkiva e muzikës shqiptare. Është shumë e vështirë të zgjedhësh, pasi ka shumë.
A është një objektiv kualifikimi në Botëror? – Ne objektivin e kemi për të shkuar në Botëror. Mundësitë i kemi reale për të shkuar në Botëror, por futbolli nuk është se gjithmonë të jep atë që meriton. Duhet përgatitje, punë, performancë dhe pak fat. Fati fillon që nga shorti dhe uroj që të kemi një short të mirë për në Botëror. Uroj që të kemi një performancë të mirë në Nations League sepse do të ndikojë në shortin e Botërorit dhe e kemi si objektiv për të qenë pjesë e Botërorit 2026. Ne kemi shkuar dy herë në Europian me trajnera të ndryshëm dhe mund të shkojmë në Botëror me të njëjtin trajner. Unë kam dëshirë që të shkojmë në Botëror me të njëjtin trajner. Futbolli është një lojë kolektive dhe që nuk mund të shkosh as me një futbollist, as me një trajner por të gjithë bashkë. Me kualitetin dhe performancën e skuadrës, nuk ka të bëjë me individë.
A ka një çështje Broja në Kombëtare? – Broja është një nga talente më të mëdha, jo të momentit për të gjithë historisë së futbollit shqiptar. Fatkeqësisht nuk e kemi patur në kondicionin më të mirë të tij. Ka kalur një dëmtim të rëndë. Më kualitetin që ka jam shumë i sigurt që do ta ndihmojë shumë më shumë Shqipërinë në të ardhmen. Në këtë Europian kështu ka gjykuar trajneri, nuk mund ta them dot nëse ai mund të merrte më shumë minuta. Personalisht kam pritur që Broja të bënte diferencën dhe ta merrte në krah ekipin tonë për ta çuar më tej. Nuk ka çështje tjetër, vetëm ajo që ai pati një dëmtim të rëndë dhe serioz.
Çfarë fituam nga ky Europian? – Gjëja më e rëndësishme është eksperienca për të qenë më inteligjentë në turne të tillë. Çdo gjë që komentohet negative për ekipin padyshim që nuk është pozitive, qoftë një koment i një prindi apo tifozi. Sa më shumë energji pozitive aq më mirë i bën ekipit. Fakti që kishim 26 lojtarë, jo vetëm ne por të gjitha skuadrat në Europian për mua nuk është i mirë. Nuk është i mirë nga pikëpamja menaxheriale, krijohen shumë diskutime se pse nuk ishte pjesë ky apo ai. Padyshim që çdo futbollistë ka dëshirën maksimale dhe nëse nuk e ka nuk është pozitive. Çdo njeri që është në ekip ka dëshirë të luajë por duhet të ruash balancat dhe mos ta tejkalosh dëshirën për të luajtur me dëshirën për të fituar ekipi. Më vjen shumë keq për djemtë që nuk arritën të merrnin minuta pasi të gjithë e meritojnë. Diferencat janë shumë të vogla për ato që janë në Kombëtare, në fund të fundit vendos trajneri.
Silvinjo për mua ka nota pozitive. Është një njeri shumë i përkushtuar dhe suksesi që ka arritur ka ardhur si rezultat i punë dhe përkushtimit të tij. Padyshim që ka pasur në përbërje lojtarë me kualitet. Është trajner i mirë dhe më e vështirë në Kombëtare tonë është motivimi, krijimi i grupit dhe pastaj gjërat e tjera. Të gjitha këto Silvinjo i ka bërë shumë mirë. Jo vetëm Uzuni, Bare apo Cikalleshi por edhe disa emra të tjerë si Muçolli, Veseli të gjithë mund të ishin pjesë e Kombëtares. Unë nuk di të them a do të kishin minuta apo jo dhe nëse do të ishin në fushë do të bënin më mirë apo jo. E thashë edhe më parë, diferencat në ekipin Kombëtar janë shumë të vogla dhe të gjithë mund të ishin. Medon Berisha meriton nota pozitive për atë çfarë ai ka dhënë me ekipin U-21, për atë që është si futbollist dhe për atë që dha në Europian. Unë jam shumë i sigurt që do të jetë një nga futbollistët kryesor në vitet e ardhshme për Shqipërinë.
Burimi