Përmbytjet/ PD e Vlorës: Prokuroria të nisë hetimet, nuk u morën masa

Përmbytjet/ PD e Vlorës: Prokuroria të nisë hetimet, nuk u morën masa

Partia Demokratike, dega Vlorë, ka reaguar për përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara në qytetin bregdetar të Vlorës.
Kryetari Atird Hoxha, nga terreni, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, pasi sipas tij nuk janë marrë masat e duhura dhe s’ka pasur reagim në kohë duke krijuar edhe këtë situatë të rëndë në qytetin e Vlorës.
Deklarata 
“Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes. Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij. Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve. Drejtuesit e institucioneve duke filluar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë Dredha, në rehatinë e tyre e pritën të pushoi shiu dhe u jepnin urdhër punonjësve që i lanë në mëshirë të fatit, pa mjete me rrogë qesharake, ndërkohë që rrogat e tyre i shtuan i bënë miliona”, tha Hoxha.
“Sot me siguri do ti shihni tek nxitojnë të hedhin foto me punonjës e makina, duke na treguar se po punojnë për rikthimin e normalitetit. Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi. Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë. Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit”, shtoi ai.
Burimi