Përfundon aksioni i policisë në veri të Kosovës, mbyllen 9 filiale të Postës së Serbisë

Përfundon aksioni i policisë në veri të Kosovës, mbyllen 9 filiale të Postës së Serbisë

Ka përfunduar operacioni i Policisë së Kosovës, në veri të vendit, ku u kontrolluan disa objekte të Postës së Serbisë.
Si rezultat janë mbyllur nëntë nga to, bëri të ditur zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për Klan Kosovën.
“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë, fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, u shpreh ai.
“Nuk kemi pasur persona të arrestuar, në fakt në Leshak gjatë mbylljes së një lokali, dy persona të dehur kanë ardhur afër policisë, janë shoqëruar në stacion të policisë”, shtoi Elshani.
Ai tha se nisja e operacionit erdhi pas informacionit dhe kërkesës që kanë pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ku aty u njoftuan për zhvillimin e disa aktiviteteve ekonomike të disa bizneseve të palicensuara dhe të paregjistruara në veriun e vendit.
“Në fakt këto ka qenë në të gjithë Kosovën por në veri të vendit ne jemi autoritet, dhe kemi vepruar”, theksoi Elshani.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si “kundërligjor” dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu “provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur”.
“Është e qartë se ai dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.
Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.
Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.
Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.
Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme. Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.
Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.
Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.
gijotina.com/
Burimi