PD rendit aferat: Në burg duhet të jetë Fatmir Xhafaj dhe prestanomet e tij me të cilët pastron para, jo Ervin Salianji
Genta Vangjeli zëdhënësja e antikorrupsionit në PD është shprehur në një deklaratë për mediat se Fatmir Xhafaj është autori i hakmarrjes me burgosje të numrit 2 të grupit parlamentar të PD, Ervin Salijanji.
“Fatmir Xhafaj, autori i hakmarrjes me burgosje të numrit 2 të grupit parlamentar të PD, Ervin Salijanji u denoncua pak ditë më parë nga emisioni investigativ ‘Plug’. Skandale korruptive e pastrim parash, ku rezultojnë të përfshirë kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministri Edi Rama. I gjithë operacioni u ndërtua mbi kompanitë e të afërmit të Xhafës. Prona shtetërore të grabitura me firmë të Erjon Veliajt dhe Fatmir Xhafajt, në një operacion të dyshuar korruptiv dhe me lejet e ndërtimit të miratiuara nga Edi Rama”, tha Vangjeli nga selia blu.
Më tej, ajo u ndal te projektet konkrete:
1. Ndërtimin e kompleksit ‘Square 21’ me adresë në rrugën e Kavajës në Tiranë, mbi truall dhe godina shtetërore, dhe më pas me një angazhim personal të Veliajt dhe Fatmir Xhafajt, u krye dhe kopsitja e dokumenteve.
2. Ndërtimin e ‘Eye of Tirana’ mbi truall shtetëror dhe legjitimimi i 7 kateve pa leje të ndërtuara nga njeriu i Fatmir Xhafajt.
3. Ndërtimin e kullës 25 kate tek komuna e Parisit dhe miratimi i lejes së ndërtimit për subjektin ‘Unico Constrution’ shpk blerë me vlerë simbolike nga i afërmi i Fatmir Xhafajt.
4. Ndërtimin në 320 mijë metra katror te diga e liqenit, nga subjekti ‘BUILDING CONSTRUCTION INVEST’, gjithashtu kompani e blerë nga njeriu i Xhafajt.
5. Ndërtimin e strukturës akomuduese me aplikues investitorin strategjik ‘Klais shpk’ në pronësi të të afërmit të Fatmir Xhafajt , përjashtuar për 10 vite nga pagesa e tatim fitimit, taksat e pronës, edhe nga taksa për ndikimin në infrastrukture, i cili do të paguajë vetëm 6 % TVSH.
Vnagjeli theksoi se “njeriu i Fatmir Xhafajt, i atakuar publikisht nga kryeministri, shndërrohet po me bekimin e tij në përfituesin më të madh të lejeve për kulla dhe favoreve shtetërore”.
“Në burg duhet të ishte jo Ervin Salijani, por Fatmir Xhafaj së bashku me prestanomet e tij, përmes të cilëve pastron para. Për shkak të vëllait të tij trafikant ndërkombëtar droge, të dënuar nga drejtësia italiane, Fatmir Xhafaj duhej të ishte nën hetim pasuror financiar siç e parashikon ligji antimafia dhe jo në krye të komisionit të ashtuquajtur “antikorrupsion” e as në pozicionin për të thirrur në raportim të gjitha institucionet e asaj që quhet “drejtësia e re”. Refuzimi i drejtuesve të institucioneve të drejtësisë për t`u paraqitur para Fatmir Xhafajt është një gjysmë hapi në drejtimin e duhur, i cili do të ishte i kotë, nëse Fatmir Xhafaj nuk merret nën hetim për të kuptuar burimin e pasurive të tij”, përfundoi ajo.
Burimi