“Pasuri e fshehur e Jorgo Goros”, sekuestrohet apartamenti 81 m2
Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një apartamenti 81.4 m2, që sipas hetimeve ishte pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
Kërkesa e SPAK për sekuestro ishte rrëzuar nga Gjykata e Posaçme me një vendim të datës 15 Korrik. Vendimi ndryshoi në shkallë të dytë pas ankimit të prokurorisë.
Gjykata e Posaçme e Apelit njofton se gjyqtari Florjan Kalaja vendosi këtë të mërkurë ndryshimin e verdiktit të GJKKO-së, duke pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive ndaj apartamentit me sipërfaqe 81.41 m2.
Sipas hetimeve, Jorgo Goro e ka fshehur pronën në fjalë, duke mos e deklaruar sipas legjislacionit në fuqi.
Për këtë rast, ndaj tij është ngritur akuza penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro u arrestua në muajin Mars për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, për rastin e tokës tashmë nën sekuestro, përmes së cilës bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka fitoi statusin e investitorit strategjik.
Lexo edhe:
Sekuestrohet toka ku burri i Xhaçkës do ndërtonte kompleksin turistik
Burimi