Pastronte lekët e Çopjave, SPAK i sekuestron 15 pasuri
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që Arben Lamçja i ekstraduar nga Kosova të qëndrojë në burg. Ndërkohë paralelisht SPAK gjatë procedurave hetimore, ka sekuestruar 15 pasuri në posedim të tij, familjarëve apo të të njohurve. Lamçja dyshohet se kryente vrasje me pagesë, dhe në disa raste për llogari të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Lamçja gjithashtu thotë SPAK pastronte paratë e vëllezërve elbasanllinj që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i drogës.
Arben Lamçja u la në burg nga GJKKO këtë të hënë. I dyshuar nga SPAK si vrasës me pagesë për llogari të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja si dhe për të pastruar paratë e tyre, u ekstradua disa ditë më parë nga Kosova. E ndërkohë që ndaj tij do të vijojnë hetimet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, SPAK ka vënë nën sekuestro 15 pasuri me vlerë miliona euro në posedim të Lamçjas, familjarëve dhe miqve të tij, mes të cilave, ish-vila “Gjuta” në rrugën e Elbasanit apo Hotel “Domus” pranë piramidës.
ashmë veprimet e SPAK çojnë tek disa prona që ishin sekuestruar që në vitin 2016 nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda. Mes 18 pasurive ishin aksione, llogari bankare dhe prona në posedim të kompanisë “Elba Beton”. Një vit më pas Gjykata e Lartë do ti cilësonte të paligjshme këto sekuestro duke vendosur që pronat dhe bizneset e “Elba Beton”, të liroheshin. Por SPAK nuk i ka kursyer as këto pasuri, ndërkohë që disa prej tyre rezultojnë në emër të Arben Lamçjas, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë. SPAK finalizoi një operacion me 30 urdhër arreste, duke çuar në zbardhjen e një sërë ngjarjeve kriminale, shumica prej të cilave të financuara dhe porositura nga vëllezërit elbasanllinj që strehohen në Dubai Franc e Hajdar Çopja.
Detajet u zbardhën nga bisedat e kryera përmes SKY Ec, ku flitej për planin e vrasjes së Nuredin Dumanit, masakrën e Bradasheshit, me viktimë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri si dhe shtetasi turk Erdal Durunay në dhjetor të 2018, vrasja e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë dhe atentati ndaj vëllezërve Klevi dhe Eraldo Baho në Elbasan, ku mbeti i vdekur njëri prejt tyre dhe tjetri i plagosur. SPAK thotë se Lamçja pastronte paratë e vëllezërve Çopja teksa këta të fundit janë të dyshuar edhe për zotërim të një tregu të rëndësishëm të kokainës në Europë, ku një pjesë e fitimeve investoheshin përmes emrit të Arben Lamçjas në pasur të patundshme.
gijotina.com/
Burimi