Pas Kushtetueses, edhe SPAK refuzon komisionin “Xhafaj”

Pas Kushtetueses, edhe SPAK refuzon komisionin “Xhafaj”

SPAK ka bërë të ditur se nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në Komision e Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i njohur si komisioni “Xhafaj”.
Me anë të një deklarate zyrtare, theksohet se Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision.
“Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, thuhet në deklaratë.
Pjesëmarrjen në komision e ka refuzuar edhe Gjykata Kushtetuese, ILD e Prokuroria e Përgjithshme.
Kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj, përmes një shkrese drejtuar Kuvendit theksoi se “s’mund të marrin pjesë në komision, pasi nuk bëhen pjesë në aktivitete ligjbërjeje”, duke refuzuar që të dërgojë ekspertët e saj.
“Të nderuar më përgjigje të shkresës Tuaj nr. 3016, datë 31.07.2024, me anë të së cilës kërkohet caktimi i përfaqësues/ekspert dhe profesionist nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, duke ju përgëzuar për nismën, ju bëjmë me dije se Gjykata Kushtetuese, për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Komisioni drejtohet nga Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron alias Geron Xhafaj. Komisioni ka në përbërjen e tij 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ku anëtarët janë kryetarët dhe zv. kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.
Deri më tani opozita e ka bojkotuar duke mos marrë pjesë në asnjë mbledhje të komisionit Xhafaj, pasi e ka interpretuar ngritjen e këtij komisioni si një tentativë të kryeministrit Edi Rama për të vënë nën kontroll SPAK-un dhe GJKKO-në.
Burimi