“Partizani”, Berisha publikon dokumentet: SKAP-i i partisë fshehu shkresën që tregonte se Edi Rama ndryshoi destinacionin e zonës

“Partizani”, Berisha publikon dokumentet: SKAP-i i partisë fshehu shkresën që tregonte se Edi Rama ndryshoi destinacionin e zonës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijoi edhe këtë të hënë mbrojtjen publike ndaj akuzave që janë ngritur ndaj tip nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Në një konferencë për media, Berisha tha se në fashikujt hetimorë SKAP ka fshehur dokumentin që tregon se Edi Rama ndryshoi destinacionin e zonës. Dhe këtë, tha ai, e bëri pa asnjë kërkesë nga pronarët apo institucionet.
Me firmën e hedhur për ndryshimin e destinacionit të zonës, ku më pas u ngritën ndërtesa, Berisha tha se Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës, “shkeli çdo ligji te vendit”.
Kryedemokrati shprehet se për aferën e Ramës, Prokuroria e Posaçme po akuzon padrejtësisht atë. Duke iu referuar akuzave të SPAK lidhur me ndryshimin e destinacionit të zonës në zonë banimi, Berisha citoi: “Kërkesat e shtetasit Fatmir Bektashi për objektivat që kërkon të arrijë nëpërmjet pushtetit të shtetasit Sali Berisha, e konkretisht ndryshimi i destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, përkundrejt përfitimit që ai do të japë si ryshfet mitë, lexohen në aktet e lidhura me shtetasin Jamarbër Malltezi. Më poshtë, këta falsifikatorë dhe mashtrues shkruajnë se me datë 22.05.2006, pala pronare e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi lidhi kontrate me kompaninë Kontakt ku kompania mori përsipër ndërrimin e destinacionit. Sipas Skapit, kjo u realizua nga miratimi në KRTRSH e Republikës 6 muaj më pas, më datën 21.11.2006 me firmën e Sali Berishës”.
Por, sipas Berishës, me këtë akuzë, SPAK po amniston Ramën. Më tej gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh:
Qeniet mjerane të denatyruara nga krimi, Dumani i pyetjes 1 milion, Kraja i policisë sekret hoxhiste, vilave dhe ndërtimeve, Melonai, ndrikulla e bandës së Elbasanit, fshehin dokumentin zyrtar që e kanë në dosje, në të cilin del se jo Sali Berisha, por është Edi Rama që ndryshoi destinacionin e zonës nga zonë sportive ne zone urbane ndërtimi 5 muaj më herët nga sa pretendon Skapi i partisë, konkretisht me datë 08.06.2006 dhe ky është dokumenti numër 1. Ky është vendimi i KRRT-së me firmën e Edi Ramës, të cilin skapistët e paraqesin si vendim të Sali Berishës, në të cilin në datën është ndryshuar destinacioni nga zonë sportive në zonë ndërtimi.
Fshehin dokumentin zyrtar që fakton se ky ndryshim destinacioni ishte vendosur me 12.05.2006 me vendim të Këshillit Teknik të KRRT, i cili përbëhej nga 10 drejtorë të Edi Ramës dhe ajo që ishte më e veçanta e këtij vendi, ishte se ai është marrë pas asnjë kërkese të pronarëve të tokës dhe të institucioneve që administronin klubin Partizani. Ky vendim është marrë 10 ditë përpara se pronaret e tokës të lidhnin kontratë me kompaninë e ndërtimit.
“Mbi bazën e këtij ndryshimi destinacioni, Edi Rama përmes Këshillit Teknik të Bashkisë përcaktonte se cila çështje hynte në rendin e ditës të KRRT Pra, destinacionin e ndryshoi Edi Rama me datën 12.5.2006 në Këshillin Tektik të Bashkisë së Tiranës dhe pastaj 10 ditë më vonë në Këshillin e Rregullimit të Territorit, të kryesuar jo nga Sali Berisha, por nga Edi Rama”, shtoi ai.
Më tej gjatë fjalës së tij Berisha pyeti se “për llogari dhe leverdi të kujt vendosi Edi Rama të ndryshojë destinacionin e zonës pa asnjë kërkesë nga pronarët”. Një pyetje e ngriti edhe prokurorët që kanë ngritur akuzat ndaj tij, Millonai e Kraja si dhe kreun e SPAK, Dumani. “Çfarë halli i madh i shtyn mjeranët si Dumani i pyetjes 1 milionëshe, ndërtimtarin Kraja, ndrikullën e bandës së Elbasanit, Millonai të gënjejnë kaq trashë, të poshtërohen dhe të fshehin dokumente zyrtare që tregojnë të kundërtën e atyre që ata shkruajnë”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha aludoi se Dumani është korruptuar nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. “Shko pyeteni pak Dumanin: Mos i ke marrë ndonjë çantë Olsi Ramës, Lui Vitton”, tha.
Dokumentat e publikuara nga Berisha:
Këshilli teknik i bashkisë i jep “OK” pikës J për ndryshim destinacioni.
2006-06-28 Ndryshim destinacioni – Zbardhja e vendimit KRRT2 nr. 132 date 08.06.2006.
2007-12-29 – Leja nga Edi Rama
2008 – Vendimi i Edi Ramës për ndryshim destinacioni (KRRT)
2008 urbaplan – zonimi funksional në Tirane – ish-klubi kthehet në zonë banimi
Burimi